Startojnë Lojërat Olimpike, një Olimpiadë si asnjë tjetër hapet në Tokio

23/07/2021 13:42

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Tokio nisi në një stadium gati të zbrazët olimpik, pasi qyteti vazhdon të luftojë me rritje të numrit të rasteve me Covid-19.

Ceremonia nisi në orën 20:00 sipas kohës lokale, me më pak se 1,000 njerëz në stadiumin që ka kapacitet për mbi 68,000 vetë.

Sipas organizatorëve, vetëm rreth 15 udhëheqës globalë janë të pranishëm në ceremoni – në mesin e tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Organizatorët kanë vendosur dy javë më parë që të ndalojnë gati plotësisht pjesëmarrjen e spektatorëve në ngjarjet olimpike, pasi në Tokio është shpallur gjendje e re e jashtëzakonshme, në përgjigje të rasteve në rritje të koronavirusit.

Lojërat Olimpike Verore 2020, të cilat janë shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, janë përcjellë nga një seri e shkarkimeve të zyrtarëve olimpikë.

Shkarkimi i fundit ka qenë ai i drejtorit të ceremonisë së hapjes, Kentar Kobayashi, i cili, sipas disa pamjeve nga vitet 1990, që kanë dalë në publik së voni, ka bërë shaka me Holokaustin.

Një pjesë muzikore katërminutëshe, që ka kompozuar ai, është hequr nga ceremonia, por vendimi për të shkarkuar Kobayashin nuk do të ndikojë ndryshe në ceremoni, kanë thënë organizatorët.

Më shumë se 11,238 atletë nga 204 shtete do të garojnë në 33 sporte dhe 50 disiplina të ndryshme në “Tokio 2020”. Olimpiada do të presë 339 evente, ndërsa gjithçka do të mbyllet më datë 8 gusht.

Top Channel