Stadiumet italiane hapen me 50% të kapacitetit, me pasaportë vaksinimi

23/07/2021 13:23

Varianti Delta e koronavirusit vijon të bëhet çdo ditë e më shqetësues, megjithatë në Itali nuk kanë ndërmend të ndalen apo të kthehen mbrapa, pasi së fundi qeveria ka miratuar një tjetër dekret, që synon të nxisë edhe më shumë procesin e vaksinimit.

Kështu është vendosur që në ambientet sportive, pishina, panaire, konferenca shtypi, koncerte, bare e restorante në ambiente të mbyllura, të lejohet hyrja vetëm me pasaportë vaksinimi, e cila do të lëshohet nëpërmjet një aplikacioni online të krijuar nga organet shëndetësore.

Ndërkohë lajmi i mirë për futbollin është se në bazë të dekretit të ri, qeveria ka miratuar praninë e tifozëve në stadiume, në masën 50% të kapacitetit, por kushti për të hyrë në tribuna është pikërisht pasja e një pasaporte vaksinimi.

Pak ditë më parë u miratua hapja e stadiumeve në masën 25% pa kushte, por vetë klubet kërkuan hapjen e plotë me pasaportë vaksinimi dhe tani morën vetëm gjysmën e asaj që pretenduan, megjithatë Liga e Serisë A dhe Federata Italiane kanë theksuar se do të vijojnë negociatat për hapjen e plotë të impianteve, për tifozët e vaksinuar.

Një pasaportë vaksinimi mund ta marrin me afat të përhershëm ata që kanë kryer të dy dozat e vaksinës, ndërsa ata që kanë bërë vetëm një dozë mund ta marrin vetëm me afat 9-mujor. Gjithashtu pasaportë të përkohshme vaksinimi mund të marrin edhe ata që kanë kaluar koronavirusin në 6 muajt e fundit.

Kjo masë lehtëson jo pak klubet e futbollit në Itali, të cilët do të mund të arkëtojnë jo pak nga biletat që do të shesin nisur nga ndeshjet e javës së parë më 22 gusht, ndërsa Seria A do të bëhet edhe më e bukur me tifozët që do të “ziejnë” në shkallët e stadiumeve./SuperSport/

Top Channel