Zogoviç mban në lojë Vllazninë, kërkohet një tjetër mrekulli në Shkodër

22/07/2021 22:58

Bojan Zogovic mban gjallë shpresat e Vllaznisë për kualifikim.

Gardiani malazez bëri disa pritje vendimtare dhe ndihmoi shkodranët që të dalin me një humbje minimale 1-0 në transfertën ndaj qipriotëve të AEL Limassolit, rezultat ky që lë të hapur çështjen e kualifikimit.

Shkodranët e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte dhe u shfaqën disi më mirë se kundërshtari në 25 minutat e parë, teksa i shkuan pranë edhe golit me një goditje nga distanca të Jonuzit në minutën e 19’, që përfundoi jashtë kuadratit dhe një tentativë me kokë të Djurdjeviç, që u prit nga portieri vendas.

Më pas ishte AEL-i që rriti ndjeshëm performancën dhe zhvendosi lojën në gjysmëfushën kuqeblu, duke i shkuar disa herë pranë golit, por malazezi Zogoviç ishte në një formë të shkëlqyer dhe shpëtoi disa herë portën e shkodranëve.

Megjithatë gardiani kuqeblu nuk mundi të bëjë asgjë në minutën e dytë shtesë, kur serbi Scepovic i shpëtoi mbulimit të Imamit dhe lëshoi një goditje të fortë, duke shënuar golin e avantazhit për skuadrën qipriote.

Pjesa e parë përfundoi me shifrat 1-0, ndërsa edhe në 45-minutëshin e dytë vendasit u shfaqën rrezikshëm, duke i shkuar pranë golit në minutën e 57’ me Santos, por Zogovic bën një tjetër grushtim të bukur, duke dërguar topin në këndore.

Trajneri Brdariç freskon sulmin, duke hedhur në fushë dyshen Latifi-Dilaver në vendin e Jonuzit dhe Çobës, por pavarësisht disa sulmeve sporadike, shkodranët nuk arrijnë të shkojnë rrezikshëm në portën e qipriotëve.

Shumë më të qartë këta të fundit në manovrën sulmuese, teksa në minutën e 78’ i afrohen ndjeshëm golit, por në tentativën e parë ishte Zogovic që bëri një tjetër grushtim spektakolar dhe pas ekzekutimit të këndores, gjuajtja e vendasve u ndal nga Adili teksa po i drejtohej rrjetës.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar, 1-0 në favor të qipriotëve, teksa kualifikimi mbetet plotësisht i hapur për t’u vendosur një javë më vonë në “Loro Boriçi”, aty ku shkodranët do të kërkojnë një tjetër përmbysje të bujshme ashtu si ndaj boshnjakëve të Siroki Brijeg./ SuperSport

Top Channel