Komisariati Dixhital shton 2 rubrika të reja/ Rama: Do të shihni reagimin e Policisë ndaj ankesës suaj me një klik

22/07/2021 09:22

Policia e Shtetit ka hapur një kategori të re në aplikacionin Komisariati Dixhital ku cdo person mund të denoncojë për dhunë, aksident, ndërtim pa leje, korrupsion, vjedhje apo armëmbajtje pa leje.

Risi e kësaj kategorie është mundësia që i jepet denoncuesit për të komunikuar online me operatorin e sallës. Në videon e publikuar nga kryeministri Edi Rama, jepen detaje se si funksionon aplikacioni me 8 rubrika në total, ku denoncuesve do t’u ruhet anonimati i plotë, por edhe do u kthehen përgjigje të personalizuara.

“Komisariati Dixhital ka në menunë kryesore dy rubrika kryesore me shumë përditësime të fundit , 8 në tërësi që përfshin aksident i gabuar, ndërtim pa leje, korrupsion, vjedhje, armë mbajtje pa leje, dhunë, ankesë dhe krim mjedisor. Aplikacionit që shkarkohet falas, i janë shtuar edhe 2 natyra të tjera të paligjshmërisë Dhuna në familje dhe Krimi mjedisor ku qytetarët mund të denoncojnë. Ka edhe një rubrikë të detajuar me “Pyet Komisariatin Dixhital” e cila do të funksionojë nëpërmjet opsione hashtag dhe tag.

Një staf i dedikuar , do t’ju përgjigjet pyetjeve të qytetarëve dhe paqartësisë që ata kanë në përdorimin  e Komisariatit Dixhital. Këto pyetje do të publikohen me anonimat të plotë. Me ndryshimet e fundit u dërgon mesazh përdoruesve. Këto mesazhe janë të personalizuara apo globale për të gjithë përdoruesit e aplikacionit. Mesazhet janë kryesisht të natyrave të ndryshme, kryesisht informuese.  Rubrika e Dhunës në familje do të ketë mundësi të komunikimit online me operatorin e sallës”, thuhet në videon e policisë.

Kreu i qeverisë shton se ky aplikacion do monitorojë edhe reagimin e Policisë së Shtetit ndaj ankesës apo kërkesës së qytetarëve.

“Mirëmëngjes  dhe me Komisariatin e Ri Dixhital, ku është zgjeruar hapësira për veprim e qytetarëve, të cilët ndër të tjera mund të monitorojnë edhe reagimin e Policisë së Shtetit ndaj ankesës a kërkesës së tyre, vetëm me një klik nga smartfoni ose kompjuteri, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Top Channel