Baseli shumë i fortë për Partizanin, fiton dhe hipotekon kualifikimin

22/07/2021 22:52

Baseli është shumë i fortë për Partizanin. Skuadra helvete ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 3-0, pa u sforcuar aspak ndaj kryeqytetasve të Ilir Dajës dhe preku kualifikimin në turin tjetër, ndonëse duhet të luhet edhe ndeshja e kthimit.

Ashtu siç pritej, Baseli mori menjëherë kontrollin e lojës dhe kërcënoi me një goditje të sulmuesit Arthur Cabral, por debutuesi Damcevski ndërhyri në kohën e duhur për të devijuar topin.

Shkëndijën e parë të rrezikshme për “demat e kuq” e dha sulmuesi Tedi Cara në minutën e 24-t, që lëshoi një goditje nga distanca, por topi përfundoi jashtë kuadratit, ndërsa dy minuta më vonë Shehi nuk devijo dot një top të hedhur në zonë nga Marku.

Nga ana tjetër vendasit vijojnë të ruajnë kontrollin e lojës dhe të presin momentin e duhur të për goditur, moment që erdhi në minutën e 43-të, kur pas një kombinimi të bukur me kokë Males-Stocker, ky i fundit shtyu topin në rrjetën e portës së Alban Hoxhës.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me një rast të artë për partizanin, teksa Stenio Junior rikuperoi një top dhe shërbeu shpejt për Carën, i cili në pozicion mjaft të mirë, u koordinua keq dhe dërgoi topin shumë larg portës.

Megjithatë në minutën e 52-të është sërish Basel që gjen edhe golin e dytë, teksa pas një topi në zonë, Arthur Cabral kontrolloi mirë dhe lëshoi një goditje të bukur me roveshiatë, duke mposhtur sërish Hoxhën.

Ka festë te skuadra vendase dhe tifozët që shijojnë një gol mjaft të bukur, por edhe zhgënjim te Partizani, që pretendon për një faull ndaj Dajan Shehit në zonë, ndonëse arbitri nuk mendon kështu.

Reagon skuadra e Dajës dhe krijon dy mundësi të mira me brazilianin Cardoso në minutat 60’ dhe 65’, por në të dy rastet finalizimi ishte i dobët dhe njëherë topi përfundoi në duart e portierit e më pas mbi traversën e portës.

Nga ana tjetër Baseli “flirtoi” me golin e tretë në minutën e 75-të, kur Hoxha ndali goditjen e parë të ish sulmuesit të Interit, Esposito dhe topi shkoi te Edon Zhegrova, që goditi shpejt, por nuk gjeti dot rrjetën.

Goli i tretë ishte rrotull dhe zviceranët e gjetën në minutën e 80’, kur Alban Hoxha grushtoi tentativën e parë të Espositos, por dërgoi topin te Stocker, që me portën e boshatisur shënoi golin e dytë personal dhe dërgoi shifrat në 3-0.

Mjaft i motivuar dukej edhe sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, që në minutën e 84-t lëvizi mirë në zonë dhe lëshoi një goditje mjaft të bukur me të majtën, por topi u përplas në shtyllën e Alban Hoxhës, që ishte me fat këtë herë.

Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 3-0 për Baselin, që përmbush pritshmëritë dhe e sheh veten vetëm 90 minuta larg turit tjetër të Conference League, ndërsa nga ana tjetër “të kuqve” të Partizanit nuk u mbetet veçse të provojnë të bëjnë një performancë dinjitoze në sfidën e kthimit./ SuperSport

Top Channel