Çuçi në Kakavijë me ambasadoren e SHBA-së dhe Greqisë: Shqipëria me kufij të sigurt dhe shërbime cilësore në pikat kufitare

21/07/2021 16:39

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ishte në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, për të parë nga afër disa pajisje të dhuruara për Policinë Kufitare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe ambasadoren e Greqisë, Sophia Philippidou, u njohën me funksionimin e disa prej pajisjeve, për përdorimin e të cilave SHBA ka trajnuar edhe oficerë shqiptarë.

Gjatë fjalës së tij ministri Çuçi tha se sot Shqipëria është një vend me kufij më të sigurt dhe cilësi shërbimesh më të larta për qytetarët në pikat kufitare.

“Ky rrugëtim padiskutim që nuk mund të ishte i suksesshëm pa përkrahjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE. Askush nuk e vë në dyshim që Shqipëria është një vend shumë më i sigurtë sesa vite më përpara. Të gjithë jemi dëshmitarë që cilësia e shërbimeve në pikat e kalimit kufitar është e një niveli shumë më të lartë tashmë, dhe padiskutim kjo e ka bërë Shqipërinë që të jetë ndër vendet me siguri më të lartë për sa i takon ruajtjes së kufijve dhe vend që ofron një shërbim ndaj qytetarëve në cilësinë më të lartë të standarteve qofshin këto edhe në nivelet ndërkombëtare”, tha ministri Çuçi.

Në vijim ai theksoi se falë edhe bashkëpunimit të gjatë me SHBA, sot Shqipëria jo vetëm që është një vend me kufij më të sigurt, por eksporton siguri edhe nëpër botë.

“Siguria kërkon investime të vazhdueshme dhe mbajtja e kësaj sigurie dhe e këtij standardi kërkon investime të vazhdueshme, sepse jetojmë në një botë ku teknologjia zhvillohet me një shpejtësi të madhe, dhe ne duhet t’i përgjigjemi pikërisht të gjitha sfidave që sjell zhvillimi i teknologjisë. Tani është rasti pikërisht që të falënderoj qeverinë e SHBA, pikërisht për të gjithë këto pajisje që i ka dhuruar qeverisë së Shqipërisë”, u shpreh ministri Çuçi.

Mes pajisjeve të dhuruara nga SHBA përmendim kamerat termike, sistemin e lëvizshëm për matjen e radioaktivitetit në kufi, skanerin portativ, automjetet dhe motoçikletat me kalueshmëri të lartë, GPS e plot pajisje të tjera që sot përdoren nga oficerët tanë në pikat kufitare. Dhurimi i këtyre pajisjeve, por edhe trajnimi për përdorimin e tyre, që SHBA iu ka bërë punonjësve tanë të policisë , është bërë në kuadër të Programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë së Kufirit (EXBS).

Në përfundim të vizitës në Kakavijë, ministri Çuçi dhe ambasadoret Kim e Philippidou u ndalën edhe në anën greke të kufirit për të parë nga afër situatën dhe për t’u njohur me praktikat e kontrollit të automjeteve dhe udhëtarëve.

FOTO GALERI
1/40

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA