Me ngritjen e diellit në horizont, me qindra besimtarë të grumbulluar në Sheshin Skënderbej, çelën Namazin, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, që kremton devotshmërinë, sakrificën dhe lartësimin e vetvetes.

I ktheftë Zoti të gjithë njerëzit, në rrugën e Tij. Nuk ka më mirë se falja.

Bujar Spahiu, Kryetar KMSH-së: Fjala divorc po kthehet në diçka normale për çiftet, veçanërisht ato me fëmijë. Merreni me shumë përgjegjësi familjen. Për rehatinë tuaj, mos prishni rehatinë e fëmijëve. Mos i lini prindërit vetëm, kujdesuni për ta. Motra dhe vëllezër, familja është bërthama e shoqërisë njerëzore.

“Shumë energji positive ka. Me familjen do të bëjmë vizita tek të afërmit, pastaj dreka dhe darka me familjen. Do të ndajmë kurbanin në tre pjesë, një për vete, një për familjarët dhe një për të pamundurit”, thotë një besimtare.

Taulant Bica, Nënkryetar, i KMSH-së: Nuk është e jona ajo që kemi dhe posedojmë, por ajo çka japim për hir të Zotit.

“Kurban Bajrami është dita e sakrificës, që nga profeti Abraham që ishte gati të sakrifikonte të birin, por sakrifikoi qengjin.

Ne jemi 10 anëtarë në familje, nëna, baba, motra vëllai. Këta janë nipërit e mi, ndërsa ky i vogli djali im. Familja duhet të jetë e madhe. Mesa po shohim, po cenohet nëpërmjet çdo lloj lëvizje provokuese. Shqiptarët duhet të tregohen të zgjuar dhe ta mbrojnë familjen, pasi është e shenjtë.

Unë kam 30 vjet që agjëroj, por Namazin e fal prej 15 vjetësh. Aq bukur është sa a ka kënaqësi më të madhe sesa të adhurosh atë që të ka krijuar?”, shprehen qytetarët.

Juli Ristani

Top Channel