Ish-sekretari i përgjithshëm i PD Arben Ristani tanimë nuk është më pjesë e këshillit kombëtar të PD.
I ftuar ditën e sotme në Top Talk, Ristani tha se kuvendi i PD të dielën nuk prodhoi në thelb asgjë, dhe se më Bashën në krye PD do shkojë nga humbja në humbje, duke paralajmëruar kështu një mandat të 4 për Ramën.
Pjesë nga intervista në Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja
Ristani: Historia personale s’ka rëndësi shumë , në pozicionin e anëtarit të PD mundësitë janë të shumta për tu marrë me politikë. Nuk mbetem jashtë politikës, se kjo lidhet me faktin që dua apo s’dua unë të merrem me politikë.
Tani ajo që vlen për publikun është si po i përgjigjet PD stadit politik në të cilën ndodhet vendi.
Dyrnjaja: Basha duhet të jetë i qetë se i mori të gjitha.
Ristani: Së pari duhet të ndajmë një gjë, nën drejtimin e Bashës, PD është kthyer përditë nga një parti e mirëfilltë politike në një ndërmarrje private në shërbim të tij. Ishte një kuvend pa asgjë të re, një mbyllje e faktit që vula i takon Bashës dhe ai e ka dhe e merr bën ç’të dojë, nuk ka asgjë të re ne këtë tablo.
Dyrnjaja: Ti nuk ke fshehur asgjë, jeni kundër qëndrimeve të Bashës, por si vazhdon ky aksioni anti- Basha
Ristani: Duhet të shohim, se qëllimi është që demokratët të parët por dhe publiku gjerë të kuptojnë ç’po, ndodh, se është një propagandë e tërë që mundohet të fshehë qëllimet reale të njerëzve që dominojnë politikën shqiptare. Demokracia po shket, ke të bësh me një parti qeverisëse e cila drejtohet si sundimtar nga Rama, ka në dorë të gjitha pushtet. I vetmi mekanizëm që është roje është opozita, dhe po u kap dhe opozita s’ka më mekanizma për t’iu kundërvënë një pushteti të tillë.
Dyrnjaja: Çfarë ke parasysh me kapjen?
Ristani: Basha duhet të kishte thelbin politik, fibrën politike në mënyrë që të synonte të vinte në pushtet dhe në momentin që njeriu nuk synon të vijë në pushtet por të mbajë pozicionin e tij, standardin e tij. Basha është i kënaqur me të qenin në opozitë sepse ajo vulë i shërben të mbajë standartin pa vënë firmë , pa marrë përgjegjësi. Është ndryshe të vish dhe të drejtosh shtetin, është përgjegjësi e madhe dhe i duhet të qëndrojë në këtë stad që është dhe të mbajë dhe opozitën dhe të flejë gjumë rehat
Dyrnjaja: Basha është numri 1 për të qenë numri 2?
Ristani: Absolutisht po , është e dukshme. Kemi një risi në politikë, për herë të parë partia në opozitë ka humbur tre herë rresht, situatë e jashtëzakonshme dhe kësaj duhet ti përgjigjemi me masa të jashtëzakonshme, dhe thirret një kuvend për këtë gjë, dhe kjo gjë matet me vendim marrjen që merr, çfarë vendimmarrje merr, çfarë prodhon.
Tre janë produktet e këtij kongresi, ndryshimet staturore dhe zgjedhja e këshillit kombëtar. Tani ku janë ndryshime statutore , shtohet me emra këshilla dhe përbërja e kryesisë , pra kishim një kryesi me 30 vetë do e kemi me 40-50 vetë.
Dyrnjaja: Nëse Basha synon ta ketë këtë kryesi më të madhe e do për vete apo të shtojë polemikat dhe besueshmërinë brenda kësaj strukture.
Ristani: Të marrim njëherë rëndësinë e vendimeve, kemi shtim të numrit të kryesisë, shtim të numrit të anëtarëve të këshillit kombëtar dhe zgjedhjen e një këshilli të ri.
A të bën kjo të besosh që ka masa për t’ju përgjigjur situatës në të cilën ndodhet opozita, sigurisht që jo.
Ka nisur një analizë me dy etapa , pra analizohet kundërshtari si na i vodhi zgjedhjet dhe një e dytë analizohet vetja se si u humbën zgjedhjet , si u përgjigj PD kësaj veprimtarie zgjedhore që u krye.
Tani në kongres shqyrtohet vetëm se si na vodhi kundërshtari , jo pjesa tjetër. Dhe kjo bëhet që ti vihet kapak kësaj historie, është vazhdim i 13 qershorit.
Dyrnjaja: Ç’është ky servilizim masiv në një forum të lartë siç është kuvendi, si ka mundësi që 2-3 zëra që ishin kundër aty, njëri Marku, që kishte replikë të fortë , tani pas tij dolën ca fjalime formale.
Ristani: Se gjithçka ishte përgatitur më parë,është skenar, fallco çdo gjë. Debati kryesor në kuvend duhet të ishte për ndryshimet staturore, ka një situatë paraprake Basha bën kërkesën për ndryshime statutore, ndërkohë paraqiten dhe dy kërkesa të tjera, një nga zonja Harxhi dhe një nga Kadilli.
Të dyja këto nuk futen për shqyrtim, po vetëm ajo e Bashës, e cila kishte dhe një gjë të dukshme, në raport me kompetencat e këshillit kombëtar. Këshilli me statut është organi më i lartë vendimmarrësi i PD dhe me kërkesat e Bashës kthehet në një organ këshillimor i tij.
Dyrnjaja: Rama fitoi mandatin e tretë , do presim sa ta mbarojë ai që të provojmë edhe njëherë Bashën dhe prova e Bashës mund të jetë prapë dështim i tij , fitore e Ramës. Çfarë kosto prodhon kjo për PD?
Ristani: Tani demokratët do të vuajnë edhe 4 vite të tjera në opozitë , i vetmi shans është të kuptojmë se e kujt është përgjegjësia dhe si duhet ribërë PD që mos të rrijë dhe një mandat të 4 në opozitë. Basha do ta çojë nga humbja në humbje , kjo fatkeqësi do të vazhdojë derisa demokratët të kuptojnë dhe ta nxjerrin jashtë nga zyra. PD i ka potencialet të jetë forcë e parë pa patericë.
Dyrnjaja: Lobon Rama për Bashën?
Ristani: Absolutisht po, janë sëbashku dhe janë në bashkëpunim me njëri tjetrin, sa të jetë Basha në krye të PD.
Dyrnjaja: Ju flisni për një marrëveshje të fshehtë mes tyre, po të tjerët e dinë këtë apo jo.
Ristani: Po rritet numri i njerëzve që e kuptojnë këtë gjë çdo ditë e më shumë.
Top Channel