I gjithë vendi u pushtua nga stuhi shiu këtë të dielë, veçanërisht në orët e pasdites.

Sipas Meteoalb, reshjet e shiut nga 20 deri në 50 milimetër, u intensifikuan ne Pukë, Kukës, Dibër, Burrel, Rrëshen, Krujë, Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Këto sasi konsiderohen problematike për kohën e shkurtër, por në mbrëmje do të ulet intensiteti i tyre.

Ndryshimi i kushteve atmosferike ka shkaktuar vonesa të vogla në mbërritjen e trageteve nga portet italiane në Durrës. Paraditen mbërritën me rreth 1 orë më vonë 2 tragetet e linjës Bari-Durrës, ndërsa zbriten 4 mijë udhëtarë. Deti regjistron një forcë prej 4-5 ballësh, e cila nuk e ka ndërprerë lundrimin.

Kapiteneria e Durrësit bën me dije se forca e detit nuk do të jetë problem për lundrimet në orët në vazhdim, ndërsa reshjet e shiut do të karakterizojnë motin në bregdet edhe gjatë ditës së hënë.

Plazhet e Durrësit këtë të dielë ishin boshatisur, ndërsa pushuesit u larguan nga Shëngjini për shkak të motit të keq
Nderkohe Vlora kishte një panorame tjetër nga Durrësi dhe Shëngjini, ku pavarësisht ndryshimeve të motit, pushuesit nuk iu larguan detit.

Sipas Meteoalb, e hëna mbetet me mot të paqëndrueshëm, që do të thotë shira të dobët dhe ndonjë rrebesh i izoluar, por kthjellimet do të jenë të shumta. Ndërkohe priten rritje të temperaturave në mesditë deri në 32 gradë celsius.
Era problematike do të jetë nga mesdita deri vone pasdite, ndërsa deti me dallgë rreth 3-4 ballë. Nga e marta e në vijim pritet stabilizimi i kushteve te motit dhe rritje graduale e temperaturave.

Top Channel