Një pjesë e mirë e vendit është përfshirë nga reshjet e shiut ndërsa rajoni i Ballkanit është goditur nga stuhia. Pjesa më e madhe e pushuesve kanë braktisur plazhet për shkak të paralajmërimeve për ndryshimet e kushteve atmosferike.
Metereologia Lajda Porja ka folur për Top Channel duke zbuluar se reshjet e dendura të shiut mund të jenë problematike për Kukësin, Pukën, Shkodrën, Lezhën, Tiranën dhe Elbasanin.
“Stuhia e cila mbrëmë ka qarkulluar në zonën e Alpeve në veriun e Italisë dhe gjatë vendeve të rajonit, ka përfshirë pjesën më të madhe duke sjellë rebeshe shiu ka pasur dhe territori shqiptar. Në fakt, Shqipëria është paraqitur gjatë gjithë kësaj situate diçka më ndryshe dhe më mirë se vendet e rajonit.
Kjo stuhi kuptohet që ka ardhur e degraduar, reshjet janë prezente, por herë pas here të shoqëruara dhe me stuhi ere. Në fakt, në Shqipëri reshjet kanë qenë kryesisht jo më shumë se 7 mm, parashikohet që situata të mbetet e paqëndrueshme, por kemi një përmirësim të dukshëm në pjesën më të madhe të bregdetit, ku reshjet do të jenë të pakta në orët në vijim dhe mbeten problematike vetëm zonat malore, kryesisht veriore dhe ajo verilindore. Do të theksoja që në momente të shkurtra do të kemi intensifikim të reshjeve, kryesisht më problematik do të jenë Kukësi, Puka, Shkodra, Lezha, Tirana, Elbasani, ku në këto momente do të ketë intensifikim të reshjeve, sidomos në orët e pasdites, por do të kemi herë pas here shkëputje të tyre”, tha Porja.
Ndër të tjera, shtoi se përmirësimi i kushteve të motit pritet të nisë që prej ditës së nesërme pasdite, ndërsa temperaturat do të rriten nga dita e mërkurë.
“Kjo stuhi ka ardhur në degradim. Për të gjithë territorin shqiptar do të jemi në një situatë jo problematike, ka pasur erë të fuqishme mbrëmë gjatë natës në kanalin e Otrantos, por pritet një dobësim i ndjeshëm i saj. Do të theksoja që reshjet parashikohet të largohen duke filluar në zona bregdetare gjatë ditës së nesërme, kemi vetëm momente të shkurtra dhe shira të dobët.
Përmirësimi i situatës do të nisë nesër pasdite. Nga e mërkura e në vijim pritet rritja e temperaturave dhe moti i kthjellët”, tha Porja.
Top Channel