1734 shoferë janë gjobitur gjatë 24 orëve të fundit, pasi janë identifikuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Njoftimi i policisë:
Mos shpejtoni e mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos kryeni parakalime të gabuara dhe mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit, tregoni kujdes të shtuar pasi ka prezencë të lagështirës në rrugë, në zona të caktuara edhe reshje të dendura shiu, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini të sigurt në destinacion.
Policia Rrugore, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ka rritur akoma më shumë prezencën në akset rrugore dhe qendrat e banuara, duke vijuar kontrollet intensive për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar me radar shpejtësi që varonin deri në 170 km/h, si dhe drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe nën ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, nga kontrollet intensive janë konstatuar dhe arrestuar disa shtetas, kryesisht të rinj, që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Janë pezulluar gjithsej 39 leje drejtimi, nga të cilat 30 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 9 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të qytetarëve te Komisariati Dixhital apo në numrin 112, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 1734 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.
Në akset rrugore në drejtim të Tiranës dhe Morinës, përgjatë ditës së sotme ka pasur dhe vijon të ketë fluks të shtuar të automjeteve që kthehen nga zonat bregdetare, si dhe në të gjitha akset rrugore ka prezencë të lagështirës dhe të ujit në rrugë, ndaj Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.
Top Channel