Bashkimi Evropian tejkaloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket normës të vaksinimit teksa Brukseli dhe Washingtoni po përballen me një valë të re të infektimeve, të shkaktuar nga varianti Delta i koronavirusit.

Rreth 55.5 për qind e popullatës së përgjithshme të BE-së tashmë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, krahasuar me 55.4 për qind në Shtetet e Bashkuara, thuhet në të dhënat e Our World in Data.

BE-ja gjatë kësaj jave ka tejkaluar SHBA-në si kontinent që ka administruar më së shumti doza të para të vaksinës”, tha komisioneri Thierry Breton.

BE-ja ishte kritikuar në fillim të vitit, për shkak të një fushate të ngadaltë të vaksinimit. Ndërkaq, SHBA-ja kishte pasur një nisje të vrullshme të fushatës së imunizimit, por së fundmi vaksinimi është ngadalësuar, kryesisht për shkak të hezitimit për të marrë vaksina, raporton Radio Evropa e Lirë

Pavarësisht numrit të lartë të të vaksinuarve në BE dhe SHBA, janë rritur shqetësimet për një valë të re të virusit, për shkak të variantit Delta, i cili është më ngjitës.

Ekspertët shëndetësorë kanë thënë se rreziku kryesor është te personat e pavaksinuar.

Mbi 99 për qind e vdekjeve nga Covid 19 dhe 97 për qind e hospitalizimeve janë në mesin e personave të pavaksinuar, thuhet në të dhënat e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Infektimet në SHBA janë rritur dyfish në dy javët e fundit, ku në baza ditore janë regjistruar pothuajse 30.000 raste. Ndërkaq, në BE, autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se blloku mund të goditet nga një valë e re e infektimeve në fillim të gushtit.

Për shkak të një vale eventuale, shumë vende kanë ashpërsuar masat. Barcelona dhe qytete të tjera në verilindje të Spanjës kanë rikthyer masën e orës policore gjatë fundjavës, ndërkaq në Los Angelos gjatë kësaj jave u bë e detyrueshme mbajtja e maskave.

Ndërkaq, në Francë, mbi 100.000 persona në disa qytete protestuan kundër masave të reja, që kërkojnë që qytetarët të vaksinohen nëse duan të kryejnë aktivitete të caktuara./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA