Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shkatërrimi i grupit kriminal të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm drejt ShBA, Kanada, Angli, përmes falsifikimit të vizave dhe pasaportave, duke përfituar shuma të ndryshme parash.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 24 persona, ndërsa gazetarja Anila Hoxha ka siguruar dosjen që zbardh aktivitetin e paligjshëm të tyre.
Në dosje thuhet se baza e aktiviteteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nga territori Europian Shengen për në Britaninë e Madhe, gjendej në Kosovë (Prishtinë dhe Prizren) dhe në Tiranë.
Bukurije Ahmetaj, Elvis Ahmetaj, Fatmir Qema, Eduard Haxhiu, Altin Memaj, Blerim Çoku, Azem Tanushi, Ariselda Memaj janë personat e akuzuar që mblidhnin migrantët shqiptarë klandestinë, i siguronin vendin se në cilën linjë transporti rrugore apo ajrore do të udhëtonin, i udhëzonin ata si të vepronin dhe kujdeseshin që migrantët të arrinin në destinacionet e duhura. Dyshohet se migrantëve këtu në Shqipëri u kërkohej që të dorëzonin shuma të konsiderueshme parash.
“Pjesëtarët e grupit kriminal, të akuzuarit Bukurije Ahmetaj, Elvis Ahmetaj, Fatmir Qema, Eduard Haxhiu, Altin Memaj, Blerim Çoku, Azem Tanushi, Ariselda Memaj, të akuzuar për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër pa qenë shtetas i tij dhe pa leje qëndrimi në atë shtet, për qëllime fitime, shfaqen të vetëdijshëm për karakterin e paligjshëm të aktiviteteve të tyre.
Nga përgjimet telefonike rezulton se me bashkëkombasit ata përdorin komunikimin edhe me internet përmes Whatsapp dhe përdorin fjalor të koduar”, citohet në dosjen e siguruar nga Anila Hoxha.
Po ashtu bëhet e ditur se migrantët nga Shqipëria mbërrinin në vendet Europiane Shengen, me pasaportat e tyre me vete, ku atje strehoheshin në pritje të organizimit të kalimit për në Mbretërinë e Bashkuar me dokumentacion të falsifikuar. Zhvendosja e tyre në vendet Europiane Shengen, nga një qytet në një tjetër mirëpritej dhe bëhej nga shoferët shqiptarë që udhëtojnë nga Shqipëria atje dhe që e merrnin detyrën nga të akuzuarit këtu, për t’i akomoduar ata në vendqëndrime të përkohshme.
Top Channel