U identifikuan bakterie në ujin e Deçanit, pas rezultatit të analizave Ramosaj merr vendimin e rëndësishëm

15/07/2021 17:35

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” nuk do e ketë më Komunën e Deçanit nën menaxhim.

Këtë vendim e ka marr kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj pas rezultateve të analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK), sipas të cilit në ujin e pijes në Deçan kanë dalë disa bakterie dhe ka indikacione se uji mund të jetë i kontaminuar.

“Kjo përgjigje është marr e kemi pasur si shqetësim ditët e hënë kur analiza kimike ka dal në rregull, po ashtu edhe në ditën e martë kur analizat biologjike uji është i përdorshëm, por në analizat e thella u pa se nuk është krejt në rregull dhe ky ujë sipas rekomandimeve të IKSHP-së ku e kanë vlerësuar edhe bakteret dhe faktorët patogjen[…]Kompani Rajonale ‘Hidrodrini’ nuk do e ketë më Deçanin më vete në menaxhim, kompania do jetë kompani komunale që do ketë adresim që do ketë në dispozicion taksat e qytetarëve të Deçanit që kjo kompani të punoj me standard më të lartë dhe kjo kompani me i plotësuar edhe standardet edhe kriteret që me iu gjend afër qytetarëve të Deçanit si në cilësi të ujit apo në aspektin e furnizimit të ujit në 24 orë e shtatë ditë në javë“, theksoi Ramosaj.

I pari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se deri më sot trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore Familjare në Deçan kanë kërkuar 1 mijë e 392 pacientë.
“Deri në këtë moment janë 1 mijë e 392 njerëz që kanë kërkuar ndihmë dhe që kanë marr tretmanin dhe që kanë marr ilaçet mjekësore në QKMF në Deçan, prej këtyre personave ka dikush që e ka marr edhe shërbimin e dytë e të tretë sepse vetë sëmundja në parametrat shëndetësor duhet të trajtohet një herë, dy herë ose tri herë derisa të kaloj në tërësi”, tha ai.

Lidhur me aksionin policor që është zhvilluar në Pejë, Deçan e Istog, ku u arrestuan 10 zyrtarët për keqpërdorim të detyrës, kryetari I Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se për këtë aksion ka qenë i njoftuar qysh nga mbrëmë, dhe se në këtë komunë nuk ka asnjë të arrestuar.

“Në mëngjes të sotëm edhe mbrëmë e kam ditur që do ndodh sot kjo që ka ndodhur sepse jemi komuna e vetme në Kosovë që të gjitha materialet që i ka kërkuar Prokuroria e Shtetit jemi të parët që i kemi dërguar dhe kur dërgon materiale normal që hetuesit njerëzit që merren me këtë çështje të kërkojnë informacione shtesë, në Deçan nuk ka të arrestuar”, u shpreh i pari i Deçanit.

Që nga e shtuna Komuna e Deçanit është duke u ballafaquar me një numër të madh të helmimeve nga uji i pijes./KosovaPress/

Top Channel