Raporti nga Komiteti i Helsinkit: Serbia të ndalojë me politikën e pasivizimit të adresave, spastrim i shqiptarëve

15/07/2021 13:57

Komiteti Helsinkit në Serbi në një raport të tyre ngre shqetësimin se Serbia me politikat e saj të pasivizimit të adresave, po çon drejt asaj që mund të quhet një spastrimi etnik i komunitetit shqiptar atje.

Komuniteti shqiptar në Serbinë Jugore është një nga tre komunitetet e pakicave (dy të tjerët janë boshnjakë dhe hungarezë) dhe është territorialisht kompakt dhe i vendosur përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Të tre komunitetet, por veçanërisht ato boshnjake dhe shqiptare, u janë nënshtruar masave të ndryshme administrative (diskriminimi strukturor) që synojnë uljen e numrit të tyre, si dhe ‘mbytjen’ e kërkesave për autonomi territoriale.

E megjithatë kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar, pozicioni dhe statusi i tij aktual është i lidhur ngushtë me statusin e Kosovës dhe komunitetit serb në Kosovën e Veriut.

Serbia ende po përpiqet të realizojë idenë e një shteti etno-kombëtar dhe të bashkojë të gjithë serbët përmes një margjinalizimi sistematik të të gjitha pakicave, thuhet në përmbledhjen e raportit.

Kuadri ligjor, Kushtetuta, Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, Ligji Kundër Diskriminimit, si dhe strategji të shumta dhe plane veprimi që garantojnë barazi dhe integrim të të gjithë qytetarëve të Serbisë, nuk zbatohen sa duhet në praktikë .

Pavarësisht nga prania e ambasadave të shumta, OSBE-së dhe organizatave të tjera në Serbinë e Jugut, komuniteti shqiptar po jeton në harresë dhe në pritje që statusi i tyre të zgjidhet përfundimisht si pjesë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Në mënyrë që të zvogëlohet sa më shumë numri i shqiptarëve që jetojnë në jug, Serbia po zhvillon procesin e të ashtuquajturës “Pasivizimi i vendbanimit të shqiptarëve ” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore ose në Kosovë, vëren raporti.

Ky “pasivizim” synon gjithashtu qytetarët që janë banorë të përhershëm në adresat e tyre.

Kjo masë në thelb, nëvizohet në raportin e komitetit të Helsinkit është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative.

Në raport citohet se: “Pasivizimi” (masiv dhe selektiv i vendbanimit) bën që individët të humbin statusin e tyre si shtetas i Serbisë dhe, në përputhje me rrethanat, të gjitha të drejtat civile – të drejtat për të votuar, pronën, sigurimin shëndetësor, pensionin, punësimin, etj. Meqenëse qytetarët nuk janë të informuar për “pasivizimin”, ata zakonisht humbin të drejtën e tyre për t’u ankuar, afati për të cilin është tetë ditë.

Nuk ka ndonjë tension të vërtetë etnik ose fetar midis serbëve dhe shqiptarëve lokalë. Serbët dhe shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë e tregojnë këtë.

Shqiptarët kanë treguar një dëshirë për integrim, por Beogradi nuk ka demonstruar vullnetin politik për ta bërë këtë.

Komiteti i Helsinkit ka folur me njerëz nga Serbia Jugore që besojnë se këto tensione po gjenerohen nga qeveria qendrore (Beograd) dhe shprehen se ndjehen të pafuqishëm sepse ministritë mund të bëjnë çfarë të duan, të emërojnë dhe të zëvendësojë zyrtarët si të duan.

Komuniteti shqiptar në Serbinë Jugore është plotësisht i izoluar dhe as qeveria dhe as opozita nuk kanë treguar interes për problemet me të cilat përballet.

Krerët e partive të opozitës janë të interesuar vetëm për koalicionet elektorale dhe mbështetjen e votuesve shqiptarë.

Komiteti i Helsinkit në fund, duke kujtuar se Serbia është një vend që kërkon të hyjë në BE, i kërkon asaj që të ndalohet menjëherë ky proces për të rivendosur të drejtat civile të shqiptarëve.

Top Channel