“Pastrim etnik në Preshevë”/ Shqetësimi nga komiteti i Helsinkit në Serbi

15/07/2021 19:55

Komiteti Helsinkit në Serbi në një raport të tyre kanë ngritur shqetësimin se Serbia me politikat e saj të pasivizimit të adresave, po çon drejt asaj që mund të quhet një spastrimi etnik i komunitetit shqiptar atje.

Komuniteti shqiptar në Serbinë Jugore është një nga tre komunitetet e pakicave (dy të tjerët janë boshnjakë dhe hungarezë) dhe është territorialisht kompakt dhe i vendosur përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Të tre komunitetet, por veçanërisht ato boshnjake dhe shqiptare, u janë nënshtruar masave të ndryshme administrative (diskriminimi strukturor) që synojnë uljen e numrit të tyre, si dhe ‘mbytjen’ e kërkesave për autonomi territoriale.

E megjithatë kur bëhet fjalë për komunitetin shqiptar, pozicioni dhe statusi i tij aktual është i lidhur ngushtë me statusin e Kosovës dhe komunitetit serb në Kosovën e Veriut.

Pavarësisht nga prania e ambasadave të shumta, OSBE-së dhe organizatave të tjera në Serbinë e Jugut, komuniteti shqiptar po jeton në harresë dhe në pritje që statusi i tyre të zgjidhet përfundimisht si pjesë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Në mënyrë që të zvogëlohet sa më shumë numri i shqiptarëve që jetojnë në jug, Serbia po zhvillon procesin e të ashtuquajturës “Pasivizimi i vendbanimit të shqiptarëve ” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore ose në Kosovë, vëren raporti.

Ky “pasivizim” synon gjithashtu qytetarët që janë banorë të përhershëm në adresat e tyre.

Kjo masë në thelb, nëvizohet në raportin e komitetit të Helsinkit është një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative.

Në raport citohet se: “Pasivizimi” (masiv dhe selektiv i vendbanimit) bën që individët të humbin statusin e tyre si shtetas i Serbisë dhe, në përputhje me rrethanat, të gjitha të drejtat civile – të drejtat për të votuar, pronën, sigurimin shëndetësor, pensionin, punësimin, etj. Meqenëse qytetarët nuk janë të informuar për “pasivizimin”, ata zakonisht humbin të drejtën e tyre për t’u ankuar, afati për të cilin është tetë ditë.

Komiteti i Helsinkit në fund, duke kujtuar se Serbia është një vend që kërkon të hyjë në BE, i kërkon asaj që  të ndalohet menjeherë ky proces për të rivendosur të drejtat civile të shqiptarëve.

Top Channel