Laçi përmbys Podgoricën dhe kualifikohet në turin e dytë eliminator

15/07/2021 22:50

Laçi zhvlerëson humbjen minimale 1-0 në Malin e Zi një javë më parë, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 3-0 pas 120 minutave lojë në “Elbasan Arena” dhe u kualifikua me meritë të plotë për në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës.

Kurbinasit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe i shkuan pranë golit që në minutën e 8’, por goditja e Deliut u grushtua nga malazezi Izeviç në këndore, ndërsa gardiani i Podgoricës bëri një tjetër pritje të bukur edhe në minutën e 15’ ndaj Zarubicës.

Kërcënimi i vetëm i malazezëve u regjistrua në minutën e 19’, teksa pas një kundërsulmi të shpejtë dhe kombinimi të saktë, Sentoku e pa veten përballë Sherrit, por goditja e tij u grushtua mrekullisht nga portieri shkodran, që mbajti në lojë kurbinasit.

15 minutat e fundit të pjesës së parë zhvillohen komplet në gjysmëfushën e malazezëve, teksa Laçi fillimisht kërcënon me një gjuajtje të Lushkës dhe më pas është Mazrekaj që gjen shtyllën pingule të portës së Izeviç.

Në minutën e 38’ Guindo u nis i vetëm me portierin malazez, por goditja e tij përfundoi jashtë, ndërsa Izeviç u bë sërish hero në minutën e 41-të, duke ndalur tentativën e Mazrekajt, pas një aksioni model të kurbinasve.

Edhe pjesa e dytë nisi me Laçin agresiv dhe në minutën e 51-të, Ardit Deliut i doli një top mjaft i mirë në zonë, por koordinimi ishte i gabuar dhe topi përfundoi jashtë kuadratit të portës së Izeviç.

Megjithatë sfida do të zhbllokohej në minutën e 60’, teksa pas një aksioni të gjatë e të bukur të kurbinasve, mesfushori kavajas Deliu u shërbye saktë në zonë dhe këtë herë korrigjoi shënjestër, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Izeviç, i cili deri në ato momente ishte absolutisht më i miri në fushë.

Goli çliroi të besuarit e Shpëtim Duros, që vijuan të krijojnë rastet e shënimit radhazi, por gabuan në finalizim, duke bërë që koha e rregullt të përfundonte me rezultatin 1-0, njësoj si në ndeshjen e parë në Podgoricë dhe për të përcaktuar të kualifikuarën, u desh luajtja e minutave shtesë.

Edhe këtu gjithçka foli për kurbinasit, që gjetën golin e dytë pas vetëm tre minutash, teksa pas një aksioni të bukur me protagonist mentor Mazrekajn, topi shkoi te Regi Lushkja, që mposhti për herë të dytë portierin Izeviç, ndërsa në minutën e 114’ ishte i sapo-futuri Fatmir Prenga, ai që mbylli llogaritë, duke shënuar edhe golin e tretë.

Me këtë sukses Laçi kualifikohet në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku bashkë me Teutën e Partizanin çon në tre numrin e skuadrave shqiptare, teksa kurbinasit tani do të matin forcat me rumunët e Universitatea Craiovës./ Super Sport

FOTO GALERI
1/5

Top Channel