Sistemi i Prokurimit Publik rezultoi një nga fushat me problematike në drejtim të respektimit të rregullave dhe bazës ligjore për tenderimin e fondeve publike.

Pas Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka evidentuar ndër vite abuzimet financiare më anë të prokurimeve publike, edhe auditi i qeverisë e konsideron këtë fushë problematike. Pavarësisht se gjatë vitit të kaluar pandemia kufizoi disi veprimtarinë e kontrollit të brendshëm të qeverisë, në inspektimet e ushtruara u zbuluan 9,238 shkelje, devijime dhe dobësi në sistemet e prokurimit publik.

Gjatë vitit pandemik auditi i qeverisë gjeti një dëm financiar prej 1,2 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë eurosh, ku 45 për qind e vlerës i takon sistemit të prokurimeve publike.

Gjetjet kryesore në sistemin e prokurimeve ishin mos argumentim dhe mbështetje me kërkesat dhe nevojat e njësisë në planifikimin për mallra/shërbime, si dhe përllogaritjen e fondit limit. U gjeten shkelje të procedurave të prokurimit publik përfshirë specifikimet teknike, procedurat e tenderimit, si dhe zbatimi i kontratave.

Nuk u ndoqën të gjithë hapat ligjorë për blerjet me vlera të vogla, si dhe favorizimi në disa raste i blerjeve të të njëjtit operator ekonomik. U gjetën gjithashtu përllogaritje të paargumentuara të fondit limit, si bazë për fillimin e procedurave të prokurimit. Auditi i qeverisë gjeti nënshkrim të kontratës duke ndryshuar kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit me të cilat është shpallur fitues subjekt.

Një tregues tjetër i analizuar është “Të gjitha kontratat janë dërguar në kohë pranë degës përkatëse të thesarit”, i cili përcakton numrin e kontratave të dërguara pranë degëve të thesarit pas tre ditëve nga data e nënshkrimit të tyre kundrejt numrit total të kontratave të dërguara në thesar.

Për vitin 2020, ky tregues është vlerësuar mesatarisht në nivelin 1.8 pikë nga 4 pikë të mundshme (ose 45%), duke reflektuar një situatë jo mjaft të kënaqshme, përafërsisht të njëjtë me vitin 2019. Auditi i qeverisë vë në dukje se të gjitha institucionet paraqesin mangësi në këtë fushë, kryesisht njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat janë vlerësuar mesatarisht me 1.6 pikë.

Ndërkohë, arsyet për mosrealizimin e këtij treguesi vijnë kryesisht si pasojë e mungesës së disponibilitetit të personave, të cilët nënshkruajnë kontratën, duke shkaktuar vonesa në dërgimin e tyre. Gjithashtu, afati ditor prej 3 ditësh për dërgimin e kontratave në thesar është praktikisht i pamundur për t’u zbatuar nga institucionet, të cilat nënshkruajnë dhe menaxhojnë një numër shumë të madh kontratash./Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA