Southgate përdori një algoritëm për përzgjedhjen e goditësve të 11-metërshave

14/07/2021 18:08

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, i vënë në qendër të akuzave pas atij dështimi të “Tre Luanëve” në finale e Europianit përballë Italisë, mësohet se i ka përzgjedhur goditësit e penalltive duke u bazuar në një algoritmi.

Gazeta spanjolle “El Pais”, e cila citon burime nga federata angleze e futbollit, shkruan se Southgate (dërgoi të riun Saka të gjuante penalltinë e pestë kur nuk kishte ekzekutuar më parë asnjë 11-metërsh në karrierë) kishte përdorur analiza të hollësishme të të dhënave prej vitesh nga shkencëtarët e departamentit më të financuar në FA (Federata Angleze).

Ekspertët, të udhëhequr nga Mark Bullingham, ndoqën një metodë të bazuar në modele matematikore të njohura gjerësisht si Big Data, që vijnë nga bejsbolli.

Sipas gazetës spanjolle, rendi i gjuajtësve në finale kundër Italisë (Kane, Maguire, Rashford, Sancho dhe Saka) u sugjerua nga analistët. Nëse Saka nuk do të gabonte, pas tij do t’i vinte radha portierit Pickford.

Southgate nuk është “i huaj” për zgjedhje të tilla. Dy vjet më parë, kur u pyet për ndikimin e inteligjencës artificiale në përgatitjen e penalltive, trajneri anglez shpjegoi se programet e Google i kishin hapur horizontin.

“Ne kemi analizuar mijëra penallti, kemi ndryshuar kulturën tonë. Historikisht Federata Angleze shihet si një grup burrash të vjetër me kostume, të shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë. Ne duhej të modernizoheshim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA