Nga zyrat e Ligës së Serisë A, ku u hodh shorti për kalendarin e sezonit të ri, Paolo Maldini njoftoi një tjetër afrim të Milanit.
Bëhet fjalë për sulmuesin francez Olivier Giroud, që ka arritur marrëveshjen me kuqezinjtë dhe pritet nesër në Milano, teksa Maldini nuk ngurron të bëjë shaka edhe për moshën e futbollistit.
“Po, nesër duhet të vijë në Mialno. Giroud është një kampion jo vetëm me Francën, por edhe me Chelsea-n, ku fitoi Ligën e Kampionëve. Kemi një skuadër të re në tërësi dhe natyrisht që kemi nevojë edhe për futbollistë të tillë me eksperiencë. Giroud dhe Ibra do të bëjnë një dyshe të rinjsh në sulm”, u shpreh Maldini.
Drejtori teknik i kuqezinjve ka zbuluar se po punon për të afruar edhe një tjetër futbollist në repartin e sulmit, por në të njëjtën kohë ka qetësuar tifozët për të ardhmen e mesfushorit Franck Kessie, me të cilin po negociohet rinovimi.
“Duam të afrojmë edhe një futbollist të ri, që të rritet me Ibrën e Guiroud, ndërsa më pas do shohim çfarë rastesh do na sjellë merkatoja. Për Kessie duhet të rrini të qetë, pasi lojtari do të qëndrojë gjatë me Milanin. Kur të kthehet nga pushimet, do negociojmë edhe rinovimin, por nuk besoj se do të kemi probleme”, deklaroi Maldini.
Top Channel