Hidhet shorti për sezonin e ri, ja javët e përballjeve më interesante

14/07/2021 19:44

Sezoni i ri i kampionatit italian ka marrë udhë pasditen e sotme, pasi në ambientet e Ligës së Serisë A është hedhur shorti për kalendarin e ri, që ndryshe nga vitet e tjera, do të vijë këtë herë me risinë e një faze të dytë të çrregullt, me të njëjtin model që operon edhe Premier League prej disa sezonesh.

Kështu kampionati do të startojë më 22 gusht dhe Interi kampion në fuqi do të përballet në start me Genoan në “San Siro”, ndërsa gara do të ndizet në javën e tretë me përballjet Milan-Lazio e Napoli-Juventus dhe në javën e katërt, kur kuqezinjtë do të jenë mysafirë të bardhezinjve në Torino.

Derbi i kryeqytetit Lazio-Roma do të luhet në javën e 6, ndërsa java e 8 propozon gjithashtu dy sfida mjaft të nxehta, pasi Simone Inzaghi do të rikthehet në “Olimpico” këtë herë si kundërshtar i Lazios dhe Juventusi do të presë Romën e Jose Mourinhos.

Derbi i Italisë Inter-Juventus, pritet të jetë edhe këtë sezon dueli i nxehtë për titullin, teksa dy skuadrat do të takohen përkatësisht në javën e 9 në “San Siro” dhe në javën e 31-të në “Allianz Stadium” të Torinos.

Dy skuadrat e Milanos, Interi e Milani, të cilat këtë sezon dueluan fort për titullin kampion, do të takohen vetëm në javën e 12, e cila është planifikuar për në javën e parë të nëntorit, me kuqezinjtë pritës, ndërsa në javën pasardhëse zikaltrit do të presin Napolin në “San Siro”.

Javët 13 dhe 14 do të jenë mjaft interesante edhe për Maurizio Sarrin, që do të përballet me dy ish skuadrat e tij, pasi Lazio që drejton aktualisht, do të presë fillimisht Juventusin në “Olimpico” dhe më pas do të udhëtojë drejt Napolit.

Rikthimi i Jose Mourinhos në Serinë A është një nga lajmet më të mira, teksa pasi fitoi gjithçka me Interin në 2010-ën, portugezi do të përjetojë emocionet e përballjes me zikaltrit vetëm në javën e 16 të fazës së parë në “Olimpico”.

Sezoni i ri do të startojë më 22 gusht, ndërsa kampionati do të ulë siparin plot 9 muaj më vonë, më 22 maj të 2022-shit, teksa përveç ndërprerjeve për ndeshjet e përfaqësueseve, është programuar edhe një pushim dimri më 26 dhjetor e 2 janar.

Ka mjaft optimizëm edhe sa i përket rikthimit të tifozëve në stadiume, pasi aktualisht është dhënë miratimi për praninë e tyre në masën 25% të kapacitetit që në javën e parë të sezonit, megjithatë Liga e Serisë A dhe Federata po këmbëngulin për hapje të plotë për të gjithë ata që kanë pasaportë vaksinimi.

Ky sezon i Serisë A pritet të jetë nga më interesantët e viteve të fundit, pasi përveç Interit, Juventusit, Milanit e Atalantës, edhe Napoli, Lazio e Roma kanë ngritur ndjeshëm stekën, duke afruar në pankinë emra si Spalletti, Sarri e Mourinho.

Top Channel