Problemi i trukimit të ndeshjeve prek edhe turneun më të lavdishëm të sportit të tenisit. Të paktën dy ndeshje dyshohet se janë fiksuar në edicionin e sivjetshëm të Wimbledonit, që u mbyll fundjavën e kaluar, duke kurorëzuar për herë të gjashtë në karrierë pikërisht numrin 1 të botës, Novak Djokovic.

Burime të ndryshme kanë zbuluar faktin se të paktën dy ndeshje në “All England Club” janë duke u hetuar, pasi mendohet se janë të manipuluara. Emrat e lojtarëve të përfshirë apo qoftë edhe ndeshjet për të cilat bëhet fjalë nuk janë zbuluar akoma, megjithatë dyshimet e para lindën nga raportimet e disa kompanive në lidhje me bastet e çuditshme të këtyre sfidave, ndërsa më pas u vu re një fluks i pazakontë parash edhe në shumë firma të tjera bastesh.

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga e përditshmja gjermane “Die Welt”, që me sa kuptohet disponon informacione të mjaftueshme për të këmbëngulur në hipotezën e manipulimit të këtyre takimeve. Gazeta e mirënjohur gjermane nuk zbulon hollësi të mëtejshme, por gjithsesi “Die Welt” bën të ditur se për momentin bëhet fjalë për një duel në ndeshjet teke si dhe një tjetër takim në sfidat dyshe.

Dyshimet u përforcuan akoma më tepër pas anomalive të shumta dhe luhatjeve të koeficientëve nëpër kompani të ndryshme, gjatë zhvillimit të këtyre ndeshjeve. Fillimisht gazeta e përditshme mbarëkombëtare teutone raportoi një ndeshje tepër të dyshimtë në lojën dyshe, të zhvilluar në raundin e parë në edicionin e sivjetshëm të Wimbledonit.

Disa kompani bastesh iu ranë shpejt kambanave të alarmit, duke hamendësuar trukimin e këtij takimi dhe humbjen e ndeshjes nga dyshja favorite. Këto firma të ndryshme bastesh arritën në një përfundim të tillë pas fluksit të madh të parave që u vendosën gjatë zhvillimit të takimit në favor të çiftit jo favorit. Dyshimet u përforcuan akoma më shumë sidomos pas momentit të fitimit të setit hapës nga çifti favorit, ndërsa më pas gjithçka mori formë krejt tjetër kur dyshja jofavorite përmbysi në mënyrë të pabesueshme rezultatin, duke fituar edhe dy setet e tjerë.

Gjatë këtij takimi u vunë re anomali dhe parregullsi të ndryshme, që kishin të bënin më shumë me kohën e vendosjes së basteve, për më tepër në momente të cuditshme, që nuk kishin aspak lidhje me rezultatin dhe nuk korrespondonin fare me dinamikën me të cilën u zhvillua ndeshja.

Një tjetër duel që është nën hetim është edhe një takim në ndeshjet teke, që gjithashtu i përket turit të parë të këtij edicioni në “All England Club”, ku zbulohet se luante një tenist gjerman. Në fakt dyshimet bien mbi kundërshtarin e tij, duke patur parasysh shumën e madhe me pesë shifra, që u vendos në mbylljen e setit të dytë, në rubrikën e rezultatit përfundimtar të sfidës. Sikur të mos mjaftonte kjo, në këtë ndeshje u vunë re edhe shumë përzgjedhje të veçanta, në lidhje me bastet speciale që kishin të bënin me numrin e saktë të “game”-eve. Në fund, kuptohet, të gjitha këto lloje bastesh rezultuan të suksesshme për lojtarët që preferuan t’i investonin paratë e tyre pikërisht në rubrika të tilla.

Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit për Tenisin ka nisur një hetim rreth manipulimit të mundshëm të rezultatit të këtyre dy ndeshjeve. Zyrtarë të lartë të ITIA-s, International Tennis Integrity Agency kanë deklaruar se emrat e tenistëve të përfshirë apo dhe ndeshjet e dyshuara nuk do të bëhen të ditura pa u mbyllur plotësisht hetimi paraprak i çështjes.

Krerët e Agjencisë Ndërkombëtare të Integritetit për Tenisin kanë raportuar gjithashtu edhe 11 raste të tjera të dyshuara përgjatë muajve prill – maj – qershor, që janë evidentuar pas bashkëpunimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me industrinë e basteve. 9 prej këtyre ndeshjeve u takojnë turneve të Federatës Ndërkombëtare të Tenisit ITF, ndërsa rastet e dy sfidave të tjera i përkasin aktiviteteve me vlerën e 250 pikëve në Federatën ATP./ SS

Top Channel