Arrestime në kadastrën e Durrësit/ Manipuluan me ‘Photoshop’ dokumentet për 2000 metra katror tokë në bregdet

14/07/2021 15:06

Një tjetër rast i tjetërsimit të pronave në bregdet është goditur nga prokuroria e Durrësit, e cila në bashkëpunim me policinë e shtetit ka vënë në pranga 3 persona dhe ka lënë në arrest shtëpie një të katërt.

Mes të arrestuarve është biznesmeni nga Fieri Ilias Fisheku dhe juristi i Kadastrës Mikel Zaho. Përmes dokumenteve të falsifikuara dhe përdorimit të ‘photoshopit’ këta persona kanë aplikuar dhe kanë regjistruar në Hipotekën e Durrësit një pasuri të paluajtshme prej 2000 m2, tokë truall, dhe mbi të 550 m ndërtesë, në zonën bregdetare të Vrinjës, afër Mbikalimit të Plepave.

Kjo sipërfaqe ka qenë pronë publike, por dyshohet se përmes falsifikimit dhe mashtrimit është përfituar nga biznesmeni Fisheku, po në hipotekë prona nuk rezulton në emër të tij, por të dy personave të tjerë, përkatësisht Erion Aliko dhe Rakip Haxhiu, që sipas policisë rezultojnë të jenë punonjës të bisnesmenit nga Fieri.

Për këtë pronë, pronarët kishin aplikuar dhe marrë leje ndërtimi dhe nga Bashkia e Durrësit. Me vendim gjykate, gjatë operacionit të koduar “Mbikalimi” u arrestuan bisnesmeni Ilias Fisheku, 62 vjeç, banues ne Fier, Giraon Aliko, 36 vjeç, punëtor i biznesmenit banues në Plepa Durrës, Mikel Zaho, 43 vjeç, ish-jurist në Kadastrën e Durrësit, ndërsa u ekzekutua vendimi për “arrest shtëpie” për 77-vjeçarin Rakip Haxhiu nga Durrësi. Juristi Mikel Zaho është arrestuar në zyrat e Kadastrës së Kamëz-Vorës, ku ai ishte transferuar pas arrestimit në vitin 2019 dhe akuzave për një tjetër tjetërsim prone në Kepin e Rodonit, që ende është çështje në gjykim.

Rasti i fundit i abuzimit me pronat publike në bregdet kur një tjetër person është paraqitur në Kadastrën e Durrësit për regjistrim prone me një vendim gjykate. Hetimet kanë vijuar prej 6 muajsh për t’u finalizuar me arrestimet e kësaj të mërkure, ndërsa hetimet vijojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA