Shpërndarja e mandateve të deputetëve/ Kushtetuesja publikon vendimin e arsyetuar

13/07/2021 20:09

Pas vendimit të marrë më 30 qershor, ku ka pranuar pjesërisht kërkesën e Bindjes Demokratike dhe të Lëvizjes Demokratike për Ndryshim për të shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit, Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot vendimin e argumentuar. Ndryshe nga siç u interpretua Kushtetuesja nuk e ka shfuqizuar tërësisht herësin, por ka konsideruar si antikushtetues masën e tij.

Gjykata thotë se në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës.

Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.

Gjykata konstaton fillimisht se votimi parapëlqyes nga zgjedhësit zbatohet për të gjithë kandidatët e listës, pavarësisht renditjes së tyre nga subjekti zgjedhor. Në vijim, numri i mandateve të fituara nga subjekti zgjedhor e ndan listën e tij shumë emërore në dy pjesë dhe votimi parapëlqyes rirendit kandidatët në secilën pjesë sipas rezultatit. Në përfundim zbatohet herësi i parashikuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor për kandidatët e renditur në listën poshtë numrit të mandateve të fituara.

Gjykata vlerëson se nuk qëndron pretendimi i subjektit të interesuar, Kuvendit, sipas të cilit Kushtetuta nuk parashikon që renditja të bëhet sipas votimit parapëlqyes dhe se ky votim nuk është përcaktues në shpërndarjen e mandateve. E drejta e votës parapëlqyese të zgjedhësve, e parashikuar në nenin 64, pika 3, të Kushtetutës, nuk mund të interpretohet se vlen vetëm për të shprehur preferencat e tyre, por ndikon duke sjellë një kufizim në shpërndarjen e mandateve.

Për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ka votuar kundër gjyqtari Altin Binaj i cili në argumentimin e tij thotë se në këtë çështje, kriteri i proporcionalitetit nuk rezulton i cenuar dhe prandaj duhet të ishte vendosur rrëzimi i kërkesës.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi më 9 qershor 2021 kërkesën e Bindjes Demokratike dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Kërkesat e dy partive e dorëzuar më 29 dhjetor 2020 argumentohej  se antikushtetueshmëria e të ashtuquajtuarit herës në shpërndarjen e mandateve është një element që cenon barazinë e votës dhe që praktikisht bie ndesh me parimin e listës së hapur të sanksionuar në kushtetutë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA