Komuna e Deçanit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas helmimit të rreth 900 personave që nga dita e dielë.
Dy persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i personave në spital ka shkuar rreth 1500 nga helmimi masiv në Deçan të Kosovës.
400 qytetarë janë paraqitur për të dytën herë në spital për të marrë ndihmë nga mjekët, ndërsa disa prej tyre janë dërguar në spitalin e Pejës.
Dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por priten ende analizat mikrobiologjike për të dalë në një përfundim.
Kryetari Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë brenda një muaji që ndodhin helmime.
“Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet e njëjta skenë që na bën të mendojmë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Prokuroria dhe hetuesit po merren me ngjarjen. Nëse analizat mikrobiologjike e nxjerrin ujin të dëmshëm, për personat përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese politike, ligjore e administrative”, tha ai.
Rastet e helmimit filluan që para dy ditëve, ku persona nga fshatrat Irzniq, Prilep e Lugu i Branit kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës.
Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme.
Mësohet se furnizimi me ujë në këto fshatra është ndërprerë deri në daljen e përgjigjes së analizave.
Top Channel