Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas helmimit të qindra qytetarëve në komunën e Deçanit.

Derisa u shpreh se nuk mund të ndodhet në Deçan pasi aktualisht është në një vizitë zyrtare, kreu I ekzekutivit  tha se qeveria do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni.

Ai tutje tha se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.

“Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse. Në bisedë me Kryetarin e Komunës, Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit. Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë Zëvendëskryeministrja znj.Donika Gërvalla dhe Ministri i Shëndetësisë, z.Arben Vitia. Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes. Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Kurti.

Gjatë ditës së sotme Komuna e Deçanit ka marrë vendim që të shpallë gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar. Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Në Deçan sot po qëndrojnë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Në orët e fundit janë regjistruar dy raste të vdekjeve të dyshimta në spitalin e Pejës, por  ministri Vitia tha se këto dy vdekje nuk kanë lidhje me helmimet e fundit që kanë ndodhur në këtë rajon.

Numri i pacientëve që po dyshohet se janë helmuar deri më tani në Deçan është diku 1500, ka thënë drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji.

Top Channel