Zhvillime intensive mund të ndodhin në PD ku pritet një seri ndryshimesh statusore me efekt të fortë në organizimin e kësaj partie, por edhe në strukturat e saj drejtuese, përkatësisht në Këshillin Kombëtar.

Ndër propozimet e Lulzim Bashës, përfshihen ndryshimet statutore që prekin përbërjen e disa forumeve më të larta të partisë si Këshilli Kombëtar apo Kryesia e cila zgjerohet sërish duke përfshirë si anëtarë të saj për shkak të funksionit, kryetarin e Këshillit Kombëtar, si edhe kryetarët e Bordit Financiar, Komisionit Zgjedhor dhe atij të Apelimit , integritetit dhe Etikes.

Nesër pritet që mbledhja e kryesisë së PD të diskutojë mbi këto ndryshime, më pas ato të kalojnë për miratim ose ndoshta për diskutim e më pas në Këshillin Kombëtar që do të mblidhet më 17 korrik.

Kryetari i Këshillit Kombëtar në PD, Bujar Nishani ka folur në Top Talk për këto ndryshime që pritet të ndodhin në PD duke thënë se misioni i Lulzim Bashës është shkatërrimi dhe përdorimi i Partisë Demokratike si zyrë personale e tij. Ndërsa ish liderin e kësaj partie, Sali Berishën e cilësoi si “jashtë loje” në këtë proces dhe çdo proces tjetër vendimmarrës që prej 2013.

Nishani: Për fatin e keq, lidershipi i PD po e margjinalizon të gjithë PD. Unë mendoj që Lulzim Basha ka një koncept të gabuar për partinë, për politikën, për shoqërinë, për pushtetin. Unë po flas për gabime esenciale se këtu nuk është problemi si do të organizohet Këshilli Kombëtar brenda vetes dhe kjo është thelbësore, por PD ka nevojë për një reformim të thellë se si ndërtohet dhe kompozohet Këshilli Kombëtar.

Basha ka dështuar në të gjithë projektin e tij politik në mënyrë të përsëritur. Koncepti i Bashës është duke e mbajtur PD në këtë situatë ku është sot që nuk po krijon mundësinë për tu hapur, për tu ringritur, për tu ringjallur. Ne duhet të ringremë një PD ndryshe nga këto 8 vite që ka rezultuar e pasuksesshme në projektin dhe modelin e saj politik dhe garën e saj politike.

Dyrnjaja: A jemi në një fushatë spastrimesh të radhës në PD?

Nishani: Nuk e di por jemi në një fushatë kur PD po kthehet në një zyrë private dhe personale të Bashës. Për fatin e keq ka qenë një proces i nisur para shumë vitesh, ditë pas dite, muaj pas muaji, Basha nuk është fokusuar tek mënyra se si ta zgjerojë dhe ta rrisë PD si një alternativë qeverisëse të vendit, ta pasurojë me energji e kapacitete për interesat, por e ka konsideruar dhe shfrytëzuar të gjithë pushtetin për ta shndërruar atë parti që në 30 vite ka pasur probleme, dështime por më së shumti arritje, ta kthejë në zyrë personale private, por më së shumti do të jetë dështim i madh për PD.

Dyrnjaja: Ju dhe disa kolegë tuaj ndodheni në një pozitë që më parë kanë qenë të tjera figura të PD. Më të fundit janë Topalli, Patozi etj… Si shpjegohet kjo mendësi përjashtuese që ndjejmë se ndodh në PD dhe a është Berisha krijues i kësaj fryme?

Nishani: Mund ta gjykojmë Berishën për shumë gjëra, por ka një të vërtetë të madhe të pamohueshme që të paktën formalisht që prej 2013 nuk është pjesë e proceseve vendimmarrëse të PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA