“Alo Policia, drejtuesi i“Mercedez-it” po ecën si i çmendur”/ Qytetarët denoncojnë, arrestohen 7 shoferë që bënin ‘gara’

13/07/2021 08:18

Qytetarët që duan rregull dhe siguri, nuk ngurojnë të japin kontributin e tyre, sa herë konstatojnë paligjshmëri dhe shkelje që cenojnë sigurinë publike dhe atë rrugore, duke telefonuar menjëherë në numrin e emergjencave 112 ose në Komisariatin Dixhital, njofton policia.

Shumica e informacioneve të adresuara nëpërmjet telefonatave kanë rezultuar të vërteta dhe shumë të rrezikshme. Nëse nuk do reagohej në kohë nga strukturat e kontrollit të territorit, do të kishte pasoja të rënda për jetën.

– Telefonata e parë anonime: “Alo Policia, tek “Komuna e Parisit”, drejtuesi i një automjeti “Mercedez” po ecën si i çmendur dhe po rrezikon fëmijët dhe banorët e zonës”.

Koha e reagimit 4 minuta, automjeti konstatohet në rrugën “Liman Kaba”, drejtuesi i automjetit ndëshkohet me 16000 lekë të rinj gjobë, për gara shpejtësie dhe xhama të errësuar. I njëjti drejtues automjeti disa orë më vonë denoncohet nga qytetarë të tjerë se po dhunonte një femër dhe pasi shoqërohet, krahas veprimeve te tjera procedohet edhe për xhama të errësuar.

– Telefonata e dytë anonime: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti “Opel” po bën manovra të rrezikshme tek zona e inxhinierisë së ndërtimit, duket në

gjendje të dehur”.
Koha e reagimit 2 minuta, pasi konstatohet, drejtuesi i mjetit rezulton në gjendje të dehur dhe me mangësi në dokumentacion, arrestohet dhe ndëshkohet me 70.000 lekë të rinj, pezullim leje drejtimi 12 muaj dhe tërheqje leje qarkullimi.

– Ankesë te Komisariati Dixhtal: “Kur do merren masat nga Policia e Shtetit, që mjetet e tjera të mos qëndrojnë pranë vendit të taksive në rrugën “Petraq Leka” dhe të mos na marrin pasagjerët se po na falimentojnë”.

Koha e reagimit 45 minuta, konstatohen dy nga mjetet që kishin zënë vendin e taksive, drejtuesit e tyre ndëshkohen nga 40.000 lekë të rinj secili, për ushtrim aktiviteti të palicencuar, shkelje e përsëritur disa herë.

– Telefonata e tretë anonime: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti është i pirë dhe punon me pasagjerë në të zezë, tani ndodhet tek Zogu i Zi”.
Koha e reagimit 7 minuta, pasi u konstatua, drejtuesi rezultoi nën efektin e alkoolit dhe duke ushtruar aktivitet të palicencuar për transport pasagjerësh, ndëshkohet me 25000 lekë të rinj.

– Telefonata e katërt, e adresuar nga 7 qytetarë të ndryshëm: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti po ecën si i çmendur nga Durrësi për në Tiranë, duket i pirë”.
Koha e reagimit 11 minuta, pasi ndalohet në zonën e Laprakës, drejtuesi rezultoi në gjendje të dehur, arrestohet dhe ndëshkohet me 30.000 lekë të rinj dhe pezullim leje drejtimi për 20 muaj.

– Telefonata e pestë anonime: “Alo Policia, një automjet “Audi” po bën gara në zonën e Laprakës”.
Koha e reagimit 2 minuta, pasi konstatohet dhe ndalohet, rezultoi se drejtuesi i automjetit ishte i papajisur me leje drejtimi, arrestohet në kushtet e flagrancës. Ndëshkohen drejtuesi dhe pronari i automjetit, me 120.000 lekë të rinj.

Telefonata e gjashtë anonime: “Alo Policia, drejtuesi i një automjeti po bën xhirime gomash, duket i pirë”.
Koha e reagimit 9 minuta, nga patrulla e Policisë Rrugore i jepet shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk bindet dhe vijon të shkelë semaforët, të xhirojë gomat, të futet në sens të kundërt dhe gjatë ndjekjes policore rrezikon përdoruesit e tjerë të rrugës përreth 45 minuta në zona të ndryshme të kryeqytetit. Pasi ndalohet dhe neutralizohet nga shërbimet e Policisë, arrestohet në kushtet e flagrancës, ndëshkohet me 100.000 të rinj, i hiqet leja e drejtimit deri në riverifikimin e kushteve fizike dhe psiqike nga komisioni përkatës, i ndalohet administrativisht automjeti. Dëmet anësore: 2 automjete të Policisë të dëmtuara gjatë ndjekjes dhe një efektiv policie i plagosur. Efekti: një “vrasës sigurie” më pak në rrugët tona.

Telefonata e shtatë: “Alo, drejtuesi i një kamioni mallrash po ecën si i çmendur nga Brryli drejt spitaleve”.
Koha e reagimit 2 minuta, konstatohet nga patrulla e Policisë Rrugore, duke përdorur aparatin celular dhe rezulton në gjendje të dehur, arrestohet, ndëshkohet me 95000 lek të rinj dhe i pezullohet leja e drejtimit për 24 muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA