Abuzimi me tenderin e përzgjedhjes së kompanisë prodhuese të uniformave të Policisë së Shtetit pritet t’u kushtojnë lirinë 9 zyrtarëve në prangat e SPAK, të cilët janë nëpunës e drejtorë pranë Ministrisë së Brendshme.
Gjykata Speciale kundër Korrupsionit pritet të vendosë sot masat për 9 zyrtarët dhe ish zyrtarët e Ministrisë së brendshme, që akuzohet se kanë abuzuar me tenderin e uniformave të policisë së vitit 2020.
Personat që ndodhen në burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmjarrësve në tendera apo ankande publike” janë Edlira Naqellari, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Klevis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe për Gëzim Mingaj.
Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, rezulton se ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit dhe ka favorizuar fituesin.
Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.
Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, ku zyrtarët dhe ish zyrtarët nën akuzë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedure prokurimi, ku fitues u shpallën bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare “D&E shpk” me administrator dhe pronar të vetëm, Ismail Kadiun dhe 3 kompanive të huaja “Summer Conf s.r.l”, kompania “Lovers s.r.l” dhe kompania YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC.
Sipas kërkesës së bërë nga Policia e Shtetit, duhej të llogariteshin veç uniformat, këpucët apo kapelet, por grupi që u mor i llogaritën në një të vetme duke kryer shkelje.
Sipas dosjes, Autoriteti Kontraktor DPPSH ka dërguar në kohë të ndryshme të dhënat teknike, sasitë dhe përllogaritjen e fondit limit për shpërndarjen e uniformës dhe këpucëve të policisë dhe në përfundim është rënë dakord që fondi të jetë në shumë totale 2.800.347.570 lekë pa TVSH.
Një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla nuk ka pranuar të firmosë tenderin, duke ngritur shqetësimin për abuzimin që po bëhej.
Ajo thotë se nuk ka pranuar t’i nënshkruajë dy tabela pasi ishin bërë ndryshime nga anëtarët e tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord.
Zyrtarët kanë ndryshuar sasinë e uniformave, që do të merrnin, por nuk kanë ndryshuar çmimin e tenderit prej 2.8 miliardë lekësh, duke kryer hapur shkelje ligjore.
“Nga ana e njësisë së Prokurorimit, në përcaktimin e artikujve të uniformës 81 artikuj që kërkohen nga Autoriteti i Kontraktor me çmimet për njësi autoriteti kontraktor nuk ka ndryshuar fondin. Procesverbali Nr.3, i Hartimit të Shtojës, nuk është nënshkruar në faqet 16 deri 19 nga anëtari i Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla, Inxhiniere tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe nuk është nënshkruar nga anëtari i Njësisë së Prokurimit, Aurora Mulla, as tabela e përllogaritjes së fondit limit pas ndryshimeve të specifikimeve teknike. E pyetur për këtë fakt, anëtarja e Njësisë së Prokurimit, shtetasja Aurora Mulla, me profesion inxhiniere tekstile, përfaqësuese e Autoritetit Kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka deklaruar se fillimisht ajo ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e specifikimeve teknike të uniformës dhe këpucëve, caktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pasi nga ana e këtij grupi pune janë hartuar specifikimet teknike, termat e referencës dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësohen operatorët ekonomikë, ky dokumentacion është bërë pjesë e dosjes dhe së bashku me dokumentet e tjera teknike janë dërguar për të ndjekur procedurën e prokurimit në Agjencinë për Blerjen e Përqendruar (ABP). Në vijim, ajo ka vepruar si anëtare e Njësisë së Prokurimit, caktuar me urdhër të Titullarit të Organit Qendror Blerës Agjencisë së Blerjes së Përqendruar nr.47 protokolli, datë 11.07.2019, si specialiste e fushës inxhiniere tekstile”, shkruhet në dosjen e SPAK.
Aurora Mulla,anëtare e Njësisë së Prokurorimit me profesion inxhiniere të ka deklaruar se fillimisht ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e specifikimeve teknike të uniformës dhe këpucëve caktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sipas saj, nga ky grup pune ku ajo merrte pjesë janë hartuar specifikimet teknike, termat e referencës dhe kriteret e veçanta që duhet të plotësonin operatorët ekonomikë .
Mulla ka thënë se shumatorja për njësi nuk ka ndryshuar si rezultat i përfshirjes së sistemit elektronik të shpërndarjes së kostove të artikujve të uniformës.
“Nga Njësia e Prokurimit është hartuar proceseverbali nr.1, datë 24.07.2019 “Mbi hartimin e dokumenteve të tenderit me objekt blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të policisë së shtetit”. Pasi janë hartuar dokumentet standarde të tenderit, i janë dërguar për asistencë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), me qëllim dhënien e një opinioni më të specializuar. APP pasi ka bërë komentet e saj në lidhje me disa çështje, të cilat pasi u reflektuan në dokumentacion, u mbajt procesverbali nr.2 datë 25.07.2019 dhe nga ana e Njësisë së Prokurimit janë hartuar dokumentet e tenderit, të cilat më pas janë ngarkuar në Sistemin Elektronik të Prokurimit (SPE), të APP.
Ajo ka deklaruar se shumatorja e çmimeve për njësi ka ndryshuar si rezultat i përfshirjes së sistemit elektronik të shpërndarjes në koston e artikujve të uniformës, mënyra e përllogaritjes së testimit të tregut duke marrë për bazë çmimet mesatare, si dhe për shkak të ndryshimit të specifikimeve teknike. Duke qenë se është bërë rishikimi i specifikimeve teknike dhe ndryshimi i tyre, si dhe ndryshimi në termat e referencave të sistemit të shpërndarjes së uniformave, këto ndryshime kanë bërë që të përllogaritet edhe njëherë kostoja e shërbimit të prodhimit dhe shpërndarjes së uniformave të policisë, pra lindi i nevojshëm edhe ritestimi i tregut. Në lidhje me kriteret e përcaktuara nga Njësia e Prokurimit në pikën 11 të hartimit të dokumenteve standarde të tenderit, certifikata konformitetit për këpucët, EN ISO 20344-2011 dhe EN ISO 20347-2012 O3 HRO HI CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 O2 HRO HI CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 të modelit B-O2 CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 të modelit A-O2 CI ER FO SRC ose Ekuivalentet, EN ISO 20347-2012 O2 CI ER FO SRC ose Ekuivaletet, mungesa e njërës prej certifikatave të mësipërme, është kusht për skualifikim të operatorëve pjesëmarrës në tender…Ajo ka deklaruar se procesverbali nr.3 i hartimit të shtojcës për disa ndryshime në dokumentet e tenderit të procedurës së prokurorimit nuk është nënshkruar nga ana e saj”, shkruhet në dosje.
Brenda 7 ditëve që nga publikimi i procedurës së prokurorimit gjithashtu janë paraqitur ankesa mbi dokumentet e tenderit në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara nga operatorët ekonomikë “Ro.Gat Security” SHPK, Dettay Taban Ayakkabbi Deri Urunleri Tekstil San.Tic.Ltd.Sti”, MarsiAl” SHPK, “Valbona Millonaj PF”.
Top Channel