Fyerje raciste për futbollistët/ Shpërthimi i tifozëve pas humbjes së penalltive me Italinë

12/07/2021 16:04

Episodet e racizmit u shfaqën sërish në Angli dhe kjo ndodhi menjëherë pas përfundimit të finales së Euro 2020 me Italinë në Wembli. Tabela e qitjes për ‘trimat’ e tastierës u bënë pikërisht Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Saka që humbën penalltitë të kishin në dispozicion në këtë finale ndaj të Kaltërve duke iu dhuruar italianëve triumfin e dytë evropianë.

Rrjetet sociale u mbushën me fyerje diskriminuese ndaj këtyre 3 lojtarëve, diçka që ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit britanik Boris Johnson. Kreu i qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar tha se ata që mbushën me fyerje raciste në mediat sociale lojtarët që humbën penalltitë në finalen kundër Italisë, duhet t’u vijë turp nga vetja. Johnson shtoi se futbollistët e Anglisë meritojnë të trajtohen si heronj dhe se fyerjet janë abuzime të frikshme.

Po kështu, ka ardhur edhe reagimi i Federatës Angleze të Futbollit që dënoi këtë sjellje të këtyre personave krejtësisht të papërgjegjshëm. ‘Dënojmë me forcë çdo lloj diskriminimi dhe jemi shumë të tronditur nga racizmi online që ka vënë në shënjestër disa prej futbollistëve të Anglisë në rrjetet sociale-lexohet në komunikatën e Federatës angleze të futbollit. po e themi qartë se kusho që është pas kësaj sjelljeje të neveritshme nuk është i mirëpritur mes tifozëve të skuadrës. Do të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur futbollistët e prekur nga sjelljet raciste dhe bëjmë apel për ndëshkim sa më të ashpër për çdo përgjegjës’.

Ngjarja nuk ka lënë indiferent as Gary Lineker, një prej legjendave të futbollit anglez. nëpërmjet një postimi në Twitter, lineker theksoi se ata që thonë fyerje raciste ndaj këtyre djemve të rinj që sollën kaq shumë gëzim në vend, nuk janë tifozë të Anglisë. Ai shtoi se bëhet fjalë për një numër të vogël tifozësh të tillë por të zhurmshëm dhe kjo sipas Lineker është shumë e turpshme.

Top Channel