Dhunohet për vdekje 24-vjeçari homoseksual/ Protesta të shumta në Spanjë

12/07/2021 15:07

Spanja është përfshirë në protesta pasi një i ri homoseksual u rrah për vdekje fundjavën e kaluar në një sulm të dyshuar homofobik.

Turmat mbushën sheshin qendror të Madridit dhe aktivistët marshuan në rrugët e Almerisë dhe qytetit verior të Coruna, ku ndodhi krimi duke brohoritur dhe duke tundur flamujt me ngjyrë ylberi.

Demonstrata të ngjashme u mbajtën në qytete të tjera gjatë fundjavës, duke përfshirë Barcelonën dhe Seviljen.

Samuel Luiz, një ndihmës infermierie 24-vjeçar, u rrah për vdekje pranë një klubi nate në orët e para të 3 korrikut nga disa sulmues. Ai ndërroi jetë më vonë në spital.

Sulmuesit bërtisnin sharje homofobike ndërsa rrihnin Luiz, sipas versionit të miqve të tij të cilët ishin në vendngjarje.

Policia ka arrestuar deri më tani 6 të dyshuar, përfshirë 2 të mitur, për vrasjen por autoritetet kanë thënë se ata janë ende duke punuar për të përcaktuar nëse sulmi ishte i motivuar nga homofobia.

Miguel Serrano, 22 vjeç, tha se ai u bashkua me demonstratën në Madrid sepse mund të ishte ai në vend të Luiz.

Protestuesit mbanin pankarta ku lexohej “Ne jemi të gjithë Samuel. Drejtësi!”.

Kryeministri socialist Pedro Sanchez dënoi vrasjen, duke e quajtur atë një “akt të egër dhe të pamëshirshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA