Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehet se në 26-vjetorin e masakrës ndajnë dhimbjen bashkë me nënat e Srebrenicës.
Presidentja Osmani shprehet se aktet e tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë dhe të historisë.
“Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit. Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve atëkohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes! Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë”, ka shkruar Osmani.
Presidentja thekson se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës
“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten. Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim. Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit”, potencoi Osmani.
Ajo thotë se të vërtetën që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid duhet ta pranojë secili.
“Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë”, përfundon shkrimi i Osmanit në Facebook.
Top Channel