Federata Evropiane e Futbollit, UEFA, urdhëroi Hungarinë të luajë dy ndeshje të ardhshme pa spektatorë, për shkak të, siç tha, “sjelljes diskriminuese të mbështetësve të saj” gjatë kampionatit evropian, Euro 2020.
Vendimi i UEFA-s pason hetimet për parulla të pretenduara homofobike dhe zhurma majmunësh, gjatë ndeshjeve të fazës së grupeve të Hungarisë, muajin e kaluar në Budapest dhe Mynih.
Hungaria luajti dy ndeshjet e para të turneut kundër Portugalisë dhe Francës në Budapest.
Më 20 qershor, UEFA caktoi një inspektor të etikës dhe disiplinës për të hetuar “incidentet e mundshme diskriminuese” gjatë atyre dy ndeshjeve.
Hetimi u zgjerua disa ditë më vonë, pas ndeshjes midis Gjermanisë dhe Hungarisë në Mynih.
Gjatë ndeshjes me Portugalinë, në mediat sociale qarkulluan imazhe të tifozëve hungarezë, duke mbajtur parulla që lexonin: “ANTI LMBTQ” – një referencë për komunitetin homoseksual në gjuhën hungareze.
Organi disiplinor i UEFA-s mori vendim që Hungaria të luajë tri ndeshjet e saj të ardhshme, në kuadër të garave të UEFA-s, pa tifozë. Por, vendimi për ndeshjen e tretë të tillë u pezullua për një periudhë provuese dyvjeçare.
Federata hungareze e Futbollit gjithashtu u gjobit me 100,000 euro.
Hungaria nuk është planifikuar të luajë ndonjë ndeshje të UEFA-s deri në Ligën e Kombeve, më 2022-23, e cila fillon në qershor të vitit të ardhshëm.
Urdhri nuk zbatohet për kualifikimet e Kupës së Botës, të cilat bien nën juridiksionin e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA./REL/
Top Channel