Djokovic sfidon “surprizën” Berrettini në finalen e Wimbledon, serbi favorit

10/07/2021 23:59

Vetëm një muaj pas përballjes në çerekfinalen e Roland Garros-it Novak Djokovic dhe Matteo Berrettini do të sfidojnë njëri – tjetrin në finalen e madhe të Wimbledon-it. Ditët kaluan shpejt dhe në All England Club gjithcka shkoi pak a shumë brenda pritshmërive. Edhe në fazën gjysmëfinale ndeshjet vijuan pa surpriza dhe në fund triumfuan pikërisht dy tenistët që janë paraqitur më mirë në barin londinez.

Numri 1 i botës gjeti rrugë të lirë në pjesën e sipërme të shortit dhe përfitoi në maksimum edhe nga mungesa e rivalit tjetër Rafael Nadal, për të siguruar finalen e shtatë në Ëimbledon. Tenisti nga Serbia mundi bindshëm në rezultat kanadezin Denis Shapovalov, për t’u katapultuar në finalen e sivjetshme të Wimbledon-it me plot pesë fitore radhazi pa humbur qoftë edhe një set.

Të vetmin set 34-vjecari ballkanas e ka humbur në raundin hapës, pikërisht në takimin e parë me adoleshentin britanik Jack Draper, që pozicionohet në vendin e 253 në klasifikimin e përgjithshëm botëror. Praktikisht Nole humbi setin e parë të këtij edicioni në Center Court me 19-vjecarin nga Sutton, ndërsa më pas numri 1 i botës në renditjen ATP ia ka dalë për të fituar plot 18 sete rresht. Tani Novak është favorit për të koleksionuar edhe turneun e tretë të madh të sezonit, pas sukseseve në Australian Open dhe Roland Garros, ku Djokovic mposhti me radhë dy kundërshtarë si Daniil Medvedev dhe Stefanos Tsitsipas.

Në gjysmëfinalen e dytë Novak Djokovic sidoqoftë vuajti ndaj numrit 12 të botës dhe për hir të së vërtetës Nole përfitoi shumë nga eksperienca e madhe e grumbulluar ndër vite, në aktivitetin më të lavdishëm të këtij sporti. Sa për statistikë pas dy seteve të para 34-vjecari kishte vetëm dy pikë më shumë sesa 22-vjecari me origjinë ruse, 74-72. Kështu seti hapës u mbyll në barazim 38-38, megjithatë tenisti i lindur në Tel Aviv shpërdoroi epërsinë e një game me break. Kur ishte në avantazh 5-4 dhe shërbente për të marrë setin e parë Dennis Shapovalov u thye me break dhe nga kjo gjë mori zemër pikërisht numri 1 në rruzull, që përfitoi nga nervozizmi i kundërshtarit për të mbyllur llogaritë 7-3 në tie break.

Në setin pasardhës tenisti kanadez e mblodhi shpejt veten dhe sërish ishte më mirë sesa Djokovic, gjithsesi Shapovalov gaboi shpesh duke mos shfrytëzuar mundësitë e shumta që pati në dispozicion. 22-vjecari pati tre mundësi në game-n e katërt në shifrat 0-40 dhe më pas dy të tjera në game-n e gjashtë, në rezultatin 15-40 por në të gjitha rastet Nole ruajti qetësinë, duke shërbyer në mënyrë të mrekullueshme. Edhe në setin final Shapovalov shpërdoroi tre mundësi që në game-n e dytë për të kryesuar 2-0, e në këtë mënyrë tenisti serb priti rastin për të ndëshkuar kundërshtarin e tij përsëri. Një rast që iu paraqit në game-n e 11, duke evituar në këtë mënyrë edhe emocionet që mbart një set i mbyllur me tie break.

Përfundimisht Novak Djokovic mbylli takimin me rezultatin 7-6, 7-5, 7-5 në afërsisht dy orë e trecerek, për të regjistruar fitoren e shtatë në po kaq përballje në sfidat ndërmjet tyre. Nole ka triumfuar në dy edicionet e fundit në All England Club, duke mposhtur respektivisht dy tenistë si Kevin Anderson dhe Roger Federer dhe numri 1 i botës kërkon kështu suksesin e gjashtë në Ëimbledon, triumf që do ta barazonte sportistin e mirënjohur ballkanas në kuotën e 20 trofeve Slam në karrierë me dyshen e famshme Roger Federer–Rafael Nadal.

Në finalen e madhe Djokovic do të masë forcat me tenistin italian Matteo Berrettini, që më herët respektoi parashikimet duke konfirmuar në këtë mënyrë edhe formën e tij të shkëlqyer në këtë lloj sipërfaqe. Numri 9 në planet regjistroi plot 60 goditje fituese dhe vetëm 18 gabime gjithsej, për të triumfuar në gjysmëfinalen e parë me shifrat 6-3, 6-0, 6-7, 6-4 në dicka më tepër se dy orë e gjysmë lojë ndaj polakut Hubert Hurkacz, i cili mban numrin 18 në botë dhe që vetëm tre muaj më parë fitoi Mastersin e Miami-t.

25-vjecari roman do të paraqitet në finalen e parë Slam në karrierë me plot 14 fitore në 15 takimet e fundit, 11 prej të cilave rresht. Përjashtim bën disfata në katër sete pra muajin e kaluar në Slam-in Parizien, në fazën cerekfinale pikërisht me Nolen, ndërsa Djokovic në krahun tjetër do të zbresë në Center Court me 21 fitore në 22 ndeshjet e fundit, 17 prej të cilave radhazi. Tenisti serb nuk humbet një ndeshje prej afërsisht dy muajsh, më saktë që nga mesi i muajit maj kur u mund në tre sete në finalen e Mastersit të Romës nga “mbreti i fushave me dhe” Rafael Nadal.

Top Channel