Një 24-vjeçare është vënë nën prangat e policisë, pasi shiste drogë në disa zona mjaft të frekuentuara në Tiranë, kryesisht në lokale me muzikë.
Në kuadër të operacionit “Kimistja 2” u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Dea Zejno, 24 vjeçe, e cila shiste në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, doza me heroinë, ekstazi, metadon dhe lëndë narkotike në formë të lëngët.
Në kuadër të këtij operacioni policia ka sekuestruar doza me heroinë, ekstazi, metadon dhe lëndë narkotike në formë të lëngët.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë zhvilloi dhe finalizoi me sukses operacionin e koduar “Kimistja 2”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetases:
– D. Z., 24 vjeçe, banuese në Tiranë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se kjo shtetase iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr).
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular.
Gjithashtu, kësaj shtetaseje i është sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Top Channel