Një shtetas i shpallur në kërkim për mashtrim është vënë nën prangat e policisë, ndërkohë që është arrestuar edhe një 36-vjeçar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat u bë kapja e shtetasit A. Z., 32 vjeç, banues në Drenovic, Berat.
“Ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka dërguar urdhrin e ekzekutimit me vendimin “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”. Shtetasi A. Z. u dërgua në DVP Fier, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 36 vjeç, banues në Uznovë, Berat, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Top Channel