Belgjika tërhoqi ambasadorin e saj në Seul pasi e shoqja e tij u përfshi për të dytën herë brenda katër muajsh, në një sherr të dhunshëm.
Ambasadori Peter Lescouhier ishte thirrur një herë pasi e shoqja, Xiang Xueqiu, u regjistrua nga një kamera sigurie duke goditur një grua në një dyqan të kryeqytetit koreano-jugor, çka shkaktoi një skandal në vend. Kur u duk se gjërat po qetësoheshin, Xiang e bëri përsëri: ajo u përfshi në një sherr fizik me një pastrues, i cili po fshinte në park dhe pa dashje, fshesa e tij preku gruan e shefit të misionit diplomatic belg.
Aq u desh që ajo t`i kthehej, e mes britmave ta godiste në fytyrë. Pastruesi e shtyu, duke e bërë të rrëzohej në tokë. Ai thirri policinë, e përpara forcave të rendit, të dy e pranuan se kishin goditur njëri tjetrin. Pas këtij incidenti, është vendosur të rishikohet situata me ambasadorin, pasi sic tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme belge, ata duan t`i ruajnë marrëdhëniet e shkëlqyera që kanë me Korenë e Jugut.
Pas episodit të muajit prill, Lesouhier kishte kërkuar ndjesë në emër të të shoqes, duke thënë se ajo “mund të kishte arsyet e saj për të qenë e zemëruar pas mënyrës sesi e trajtuan në dyqan, por dhuna fizike sipas tij, ishte e papranueshme.
Top Channel