Një nga ditët më të dhimbshme të luftës në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995), padyshim që është 11 korriku i vitit 1995, që la me dhimbje mijëra fëmijë jetimë dhe qindra prindër përjetuan vuajtje për fëmijët e tyre.
Disa nga viktimat që u vranë barbarisht në gjenocidin e Srebrenicës, i cili ndodhi saktësisht 26 vjet më parë, po presin të gjenden në varret masive ku u varrosën, ndërsa disa nga viktimat e gjenocidit e gjetën paqen e tyre të fundit në Varrezat Përkujtimore të Potoçarit, pasi u gjetën mbetjet e tyre mortore.
Pas ceremonisë përkujtimore dhe varrimit që do të mbahet në Potoçari më 11 korrik, në përvjetorin e gjenocidit, 19 viktima të tjera do të varrosen në arkivole me eshtra.
Drejtori i Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnje dhe Herzegovinës, Amor Masoviç, në deklaratë për Anadolu Agency (AA) thekson se shumë fëmijë u vranë në gjenocidin e Srebrenicës, duke shtuar: “Ne jemi duke folur për 88 viktima të moshës 18 vjeçare; 177 viktima të moshës 17 vjeçare; 109 të moshës 16; 51 të moshës 15 dhe 14 viktima të moshës 14 vjeçare sa ishin kur u vranë”.
Duke deklaruar se kërkimi për viktimat e zhdukura të luftës arriti fazën më të vështirë për shkak të humbjes të të gjitha burimeve të informacionit, Masoviç shprehet: “Më shumë se 25 mijë trupa të viktimave të zhdukura janë gjetur deri më tani. Shumë varre masive janë identifikuar në vend. 1.200 viktima të gjenocidit të Srebrenicës nuk janë gjetur ende.”
Masoviç thekson se nuk mund të identifikohen disa nga eshtrat e 7.111 viktimave të gjenocidit, në të cilat 8.372 burra boshnjakë u masakruan.
“Askund në botë nuk janë gjetur të gjitha viktimat në konflikte të mëdha ose katastrofa natyrore në të cilat qindra ose mijëra njerëz u zhdukën. Situata nuk do të ndryshojë edhe në rastin tonë. Disa nga viktimat u shkatërruan fizikisht. Disa u dogjën, hiri i tyre u hodh në lumin Drina, dhe disa janë varrosur në vende që janë shumë të vështira për t’u gjetur”, tha ai.
“Disa nga viktimat për mbi 20 vjet kanë pritur të varrosen në qese plastike”
Masoviç gjithashtu deklaroi se 96 viktima, identiteti i të cilëve nuk mund të identifikohej, duhet gjithashtu të varrosen.
“Këta njerëz kanë prindër të vdekur, nuk kanë fëmijë, nuk kanë vëllezër e motra ose të afërm të ngushtë. Ata nuk kanë askënd që të japë një mostër gjaku që të mund të identifikohen. Disa nga këto viktima, eshtrat e të cilëve u gjetën në varret masive afër Srebrenicës, Bratunac, Vllaseniëa dhe Zvornik, kanë pritur në qese plastike për mbi 20 vjet që të varrosen“, theksoi Masoviç.
Duke kujtuar se viktimat në fjalë jetuan dhe vdiqën së bashku me dëshmorët e varrosur në Varrezat Përkujtimore të Potoçarit, Masoviç shtoi se edhe ata meritojnë gjithashtu varre të bardha.
“Djali im u vra i uritur”
Mirsada Malagiç, e cila humbi dy djemtë e saj dhe burrin në gjenocid, për AA thotë se kur filloi lufta djali i saj i vogël ishte në klasën e parë, djali i dytë në klasën e gjashtë dhe djali i madh në shkollën e mesme.
“Djali im më i madh Elvir ishte 19 vjeç kur u vra kurse djali im i mesëm Admiri ishte 15 vjeçar“, tha ajo.
Duke deklaruar se ajo u largua me anëtarët e familjes së saj pranë një stacioni karburanti në Srebrenicë, Malagiç thotë: “Ne arritëm në një pikë ku ata që do të kalojnë nëpër rrugën pyjore dhe ata që do të shkojnë në Potoçari janë të ndarë. Mbi kokat tona filluan të bien topa. Unë midis bërtitjeve, thirrjeve dhe ulërimave u largova pa u thënë lamtumirë të afërmve të mi”.
Duke shpjeguar se ajo varrosi burrin dhe fëmijët e saj në Varrezat Përkujtimore të Potocarit, Malagiç thotë se kufomës së djalit të saj i mungonin eshtrat.
“Në trupin e djalit tim Admir mungonin eshtrat. Mjekët thanë se ai u qëllua për vdekje. Ai ishte një djalë i qetë. Ne ishim të uritur dhe të etur në Srebrenicë. Jam e sigurt që djali im u vra i uritur. Edhe bashkëmoshatarët e tij ishin si ai”, thotë ajo.
Këtë vit do të varrosen 19 viktima
Në ceremonitë përkujtimore që do të mbahen në 26 vjetorin e gjenocidit, do të varrosen trupat e 19 viktimave të identifikuara.
Më i riu nga viktimat që do të varroset këtë vit do të jetë Azmir Osmanoviç, i cili ishte 16 vjeç kur u vra dhe më i moshuari do të jetë Husein Kurbasiç, i cili u vra në moshën 63 vjeç.
Emrat e viktimave të tjera janë: Vejsil Hamzabegoviç (1939), Muhidin Mehmedoviç (1977), Ramiz Selimoviç (1951), Esnaf Haliloviç (1976), Muamer Mujiç (1976), Mehmed Beganoviç (1947), Hajro Aljiç (1944), Jusuf Aljiç (1967), Zajim Hasanoviç (1968), Asim Nukiç (1971), Nezir Dautoviç (1969), Ibrahim Avdagiç (1950), Jusuf Haliloviç (1948), Salih Xhananoviç (1955) dhe Meho Karahoxhiç (1939) “.
Pas pushtimit të Srebrenicës nga trupat serbe nën komandën e Ratko Mlladiçit më 11 korrik 1995, boshnjakët civilë të cilët u strehuan tek ushtarët holandezë brenda Kombeve të Bashkuara (KB) u dorëzuan më pas tek serbët.
Duke lejuar gratë dhe fëmijët të shkojnë në zonën e kontrolluar nga ushtarët boshnjakë, serbët masakruan të paktën 8.372 burra boshnjakë në zona pyjore, fabrika dhe depo. Boshnjakët e vrarë u varrosën në varreza masive.
Pas luftës filluan punimet për të gjetur të zhdukurit, ku pasi gjinden trupat e viktimave, ata identifikohen dhe çdo vit më 11 korrik varrosen me një ceremoni të mbajtur në Varrezat Përkujtimore Potoçari.
Deri më sot, 6.652 viktima të gjenocidit janë varrosur në Varrezat Përkujtimore të Potoçarit, ku këtë vit do të varrosen 19 viktima të gjenocidit.
Teksa trupat e viktimave të gjenocidit u gjetën në 570 pjesë të ndryshme të vendit, viktima më e re e gjenocidit e varrosur ndonjëherë ishte Fatima Muhiç, e cila u vra disa ditë pas lindjes së saj./Anadolu Agency.
Top Channel