Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Lushnjes nga SPAK, për shpërdorim detyre në institucionin e bashkisë puna vazhdon normalisht.
Të gjitha zyrat e shërbimeve janë në punë rregullisht, duke i ofruar shërbimin e qytetarëve.
Në mungesë të kryetarit të bashkisë janë dy nënkryetarët të cilët ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore për qeverisjen vendore.
Për zëvendësimin e kryetarit të bashkisë do të ndiqet ana ligjore, ku në bazë të ligjit nr. 139, të vitit 2015, për qeverisjen vendore, i takon prefektit të qarkut Fier të thërrasë në një mbledhje këshillin për vendosjen e zëvendësuesit të kryebashkiakut.
Dy janë nënkryetarët e kësaj bashkie, Gentian Nushi dhe Eriselda Sefa, njëri prej të cilëve do të marrë drejtimin e bashkisë së Lushnjes.
Fatos Tushe nisi karrierën e tij politike me Partinë Socialiste në vitin 2009, kur u zgjodh deputet i parlamentit të Shqipërisë.
12 vite më parë ai do të linte mandatin e deputetit për të kandiduar për kreun e bashkisë së Lushnjes, ku që prej asaj kohe e deri më tani drejtoi për 10 vjet këtë bashki.
SPAK vendosi masën “Arrest me burg” për kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe bashkëpunëtorët e tij, Flamuri Peqinin, Ibrahim Lamin, Bujar Murati, Bektash Nexha, Blerta Turku dhe Gazmend Çela.
Ndërsa ka caktuar masën “Arrest në Shtëpi” për Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andri Musho dhe Ani Simoni. Të gjithë personat e mësipërm janë të përfshirë në afera korruptive për tenderin 24 milionë lekë që do të rehabilitonte kanalin vaditës në dy fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Kujtojmë se, Kryebashkiaku u shkarkua nga detyra dy ditë më parë nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.
Dosja që Top Channel disponon tregon se ish kryebashkiaku del në përgjime, duke komunikuar me bashkëpunëtorin e tij me detyrë: drejtor i ndërmarrjes së pasurisë publike, Flamur Peqini, edhe për furnizimin me karburant të automjeteve të të njohurve, ndonëse produkti është pronë shtetërore dhe duhej për nevojat e bashkisë.
Në një rast, djali i biznesmenit Ibrahim Lami e njofton se do të udhëtonte, kryebashkiaku përgjigjet, “do nxjerr drejtorin”.
Mbas këtij zotimi, porosinë e mbyll vartësi i tij, Flamur Peqini, me detyrë drejtor i ndërmarrjes së pasurive.
Episodi i tretë kundër ish kryebashkiakut lidhet me një telefonatë në të cilën një banor i kërkon ndihmë sepse një inspektor i kishte pezulluar ndërtimin e banesës. “Thuaji që fola me shefin”, përgjigjet Tushe.
Mes përgjimeve të nisura për të hetuar se si u skualifikuan dy kompani të tjera, një proces që angazhoi tetë vartës të kryebashkiakut, Tushe në një momenti i kërkon ndihmë mikut Lami, për të ndërhyrë për provimin e të bijës.
Këto detaje konsiderohen nga SPAK si një miqësi që çoi në përzgjedhjen me preferencë të kompanisë Euro Alb, administrator i së cilës, Bujas Murati, rezulton kushëri i Lamit.
Të tjerët që janë anëtarë të komisioni të vlerësimit të ofertave dhe të strukturës ku kryhen ankesat, flasin në telefon herë të qetë, sipas tyre ‘ka dalë garant FATOSI’ dhe herë të shqetësuar siç është momenti i Flamur Peqinit, që telefonon biznesmenin Lami dhe i thotë: “Bëje xixë kanalin se nesër vijnë ata të SPAK”.
Top Channel