Zyrtarët haitianë thanë se më shumë se një duzinë personash janë arrestuar në lidhje me vrasjen e presidentit Jovenel Moise. Autoritetet në Haiti thanë se një skuadër e armatosur rëndë prej 28 “mercenarësh”, të përbërë nga 26 kolumbianë dhe dy amerikanë të Haitit, është përfshirë në vrasjen e presidentit Moise, 53 vjeç, në rezidencën e tij private në një lagje të pasur të kryeqytetit, Port-au-Prince, para agimit të së mërkurës.
Drejtori i Policisë Kombëtare të Haitit, Leon Charles, tha të enjten se 17 burra ishin arrestuar; dy shtetas amerikan dhe 15 kolumbianë.
Leon Charles tha se tre të dyshuar janë vrarë dhe tetë janë ende në arrati. Më parë, policia tha se janë vrarë katër të dyshuar. As zoti Charles dhe as zyrtarët e policisë nuk e shpjeguan mospërputhjen e të dhënave.
“Ndjekja e mercenarëve vazhdon”, tha Leon Charles. “Fati i tyre është vulosur; ata do të bien në luftime ose do të arrestohen”.
Të premten herët, Tajvani lëshoi një deklaratë duke thënë se 11 të dyshuar u kapën në ambasadën e tij në Port-au-Prince, pasi u përpoqën t’i shmangeshin policisë.
“Policia nisi një operacion rreth orës 4:00 pasdite (e enjte) dhe arriti të arrestojë 11 të dyshuar”, thuhet në deklaratën e ambasadës tajvaneze.
Mathias Pierre, ministër i zgjedhjeve në Haiti, identifikoi të enjten dy amerikanët e Haitit si James Solages, 35 vjeç dhe Joseph Vincent, 55 vjeç.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk i ka konfirmuar njoftimet se dy shtetas amerikanë ndodhen në paraburgim.
Të enjten vonë, qeveria e Kolumbisë konfirmoi se të paktën gjashtë nga të dyshuarit, duke përfshirë dy nga të vrarët, duket të jenë pjesëtarë në pension të ushtrisë kolumbiane. Qeveria nuk e bëri të ditur identitetin e tyre.
Kryeministri i Përkohshëm i Haitit, Claude Joseph, shpalli gjendjen e shtetrrethimit, që në fakt nënkupton zbatimin e ligjit ushtarak.
“Kjo vrasje nuk do të mbetet pa u ndëshkuar,” i tha kryeministri Joseph kombit të varfër prej 11 milion banorësh në një fjalim të mërkurën.
Brian Concannon, një ish zyrtar i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe themelues i Institutit për Drejtësi dhe Demokraci në Haiti, i tha Zërit të Amerikës se gjendja e shtetrrethimit i lejon policisë të bëjë “gjithçka që është e nevojshme” në ndjekjen e vrasësve.
“Ndonëse pothuajse të gjithë dëshirojnë që policia të ndjekë vrasësit në mënyrë efektive, ekziston shqetësimi i thellë se kjo mund të keqpërdoret” ndaj kundërshtarëve politikë, tha ai.
“Në të vërtetë nuk ka asgjë – asnjë strukturë për të penguar qeverinë të arrestojë kundërshtarët e saj politikë nën këtë urdhër”.
Autoritetet nuk dhanë shumë hollësi në lidhje me të dyshuarit e ndaluar, të vrarët në përleshjet e armatosura ose kush e drejtoi policinë tek ata. Ata thanë vetëm se sulmi u krye nga “një grup shumë mirë i trajnuar dhe i armatosur rëndë”, me sulmues që flisnin spanjisht ose anglisht.
Motivi i vrasjes mbetet i paqartë. Sidoqoftë, Haiti ka përjetuar varfërinë dhe trazirat politike për një kohë të gjatë.
Carl Henry Destin, një gjykatës nga Haiti, i tha gazetës në gjuhen frënge Le Nouvelliste, se sulmuesit kishin paraqitur si agjentë të DEA-s amerikane, por si zyrtarët amerikanë ashtu edhe ata të Haitit, thanë se personat e armatosur nuk kishin lidhje me agjencinë.
Gjykatësi Destin i tha gazetës se sulmuesit e lidhën një shërbyese dhe një punëtor tjetër të personelit shtëpiak, ndërsa u drejtuan për në dhomën e gjumit të presidentit, duke e qëlluar atë të paktën 12 herë.
“Zyrat dhe dhoma e gjumit e presidentit u plaçkitën”, tha gjykatësi Destin.
Zonja e parë e Haitit, Martine Moise, u plagos gjatë sulmit dhe më pas u transferua në Miami të Floridas, në Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Joseph, tha se ajo ishte “jashtë rrezikut” dhe në gjendje të qëndrueshme.
Ndonëse kryeministri Joseph pretendon udhëheqjen e Haitit, mandati i tij mund të jetë jetëshkurtër.
Kushtetuta e Haitit thotë se presidenti Moise duhet të zëvendësohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë të vendit, por ai vdiq së fundmi nga COVID-19. Për më tepër, një ditë para vrasjes së tij, presidenti Moise kishte emëruar z. Ariel Henry, një politikan dhe neurokirurg i Haitit, për të zëvendësuar Josephin si kryeministër.
Në një intervistë të shkurtër për agjencinë e lajmeve Associated Press, Ariel Henry pretendoi se ai është kryeministri, por e pranoi se situata është e pazakontë.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh në një takim emergjent të enjten pasdite për të diskutuar krizën në Haiti. Në një deklaratë, anëtarët e këshillit bënë thirrje që “të gjitha palët të qëndrojnë të qeta, dhe të përmbahen” si dhe të shmangin “çdo veprim që mund të shtoje paqëndrueshmërinë”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, u shpreh i “tronditur dhe i trishtuar” nga vrasja.
“Ne e dënojmë këtë akt të neveritshëm dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shërim Zonjës së Parë Moïse”, tha ai./ VOA
Top Channel