Qeveria e Kosovës 420 mln euro për të ringritur ekonominë/ “Asnjë pension poshtë 100 eurove deri në fund të vitit”

08/07/2021 21:49

Qeveria e Kosovës ka prezantuar planin e saj për të investuar në ekonomi 420 milionë euro në atë që Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka quajtur Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

190 mln euro prej këtyre janë fonde nga Buxheti i Shtetit, ndërsa 230 milionë të tjera do të vijnë nga huamarrja. Kjo huamarrje përfshin edhe paratë e Diasporës, për të cilat qeveria do të lëshojë Bono dhe garanton rikthimin e tyre.

Kjo lëvizje sipas ministrit Murati vjen pas rishikimit të buxhetit dhe është faza e dytë për të adresuar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia .”

Nëpërmjet kësaj pakoje qeveria e Kosovës zotohet të ndërhyjë në çdo sektor duke garantuar skema të veçanta punësimi, duke subvencionuar kreditë, duke rritur fondet për shtresat në nevojë dhe duke investuar në autostrada dhe rrugë hekurudhore.

Një nga pikat e veçanta në program është ajo që “Asnjë pension të mos jetë nën 100 euro deri në fund të vitit”. Një tjetër është që të gjitha gratë sipërmarrëse që duan të zgjerojnë biznesin do t’i subvencionohet kredia deri në 30%. Një vëmendje e veçantë do i kushtohet dhe të rinjve për të cilët shteti do të gjejë punën e tyre dhe do t’i mbulojë rrogën.

Një tjetër masë që do përdoret nga qeveria kosovare janë kuponat, që do përdoren për të stimuluar të rinjtë nëpër kurse, por edhe për familjet në nevojë për të blerë ushqime.

Kjo pako, sipas ministrit Murati pritet që të ndryshojnë në thelb strukturën e ekonomisë kosovare dhe kanë potencialin për të mobilizuar edhe 720 milionë euro të tjera.

Kjo, sepse në paketë do financohen parqet e inovacionit teknologjik për të prodhuar start-upe të reja, do të mbështesë bizneset për të pasur më shumë akses në financa, mbështet rritjen e prodhimit dhe zgjeron infrastrukturën e Kosovës. Këto lëvizje strategjike sipas qeverisë kosovare pritet ta

rikthejnë me disafish investimin mbrapsht.

Në vëmendje të qeverisë do të jetë edhe formalizimi sa më i madh ekonomisë si dhe mbajtja në nivelin e duhur të borxhit.

Top Channel