Policia në aksion/Arrestohen në flagrancë 11 shoferë, 4 ishin të dehur. Pezullohen 43 patenta

08/07/2021 16:17

Drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, shpejtësi vrastare të jetës në rrugë, parakalime të gabuara dhe shumë shkelje të tjera janë konstatuar gjatë 24 orëve të fundit nga kontrollet permanente të Policisë Rrugore në të gjithë vendin.

Një 52-vjeçar që drejtonte një furgon mallrash, në rrugët e Tiranës, në gjendje të dehur, në masën 0.77 mg/l, përdorte celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë duke rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës ka përfunduar në pranga.

Policia Rrugore e Tiranës e ka bllokuar mjetin në rrugën “Bardhyl” dhe ka prangosur drejtuesin e tij, për të cilin është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit për 24 muaj, i janë zbritur 8 pikë nga leja e drejtimit, si dhe është ndëshkuar me masë 95.000 lekë të rinj.

Po falë denoncimeve nga qytetarët, për parkime të gabuara mbi vijat e bardha, mbi trotuar, në vendparkimet e invalidëve apo në hyrje të pallatave, janë ndëshkuar me masë administrative 123 drejtues mjetesh në të gjithë vendin, shumica e tyre nga Policia Rrugore e Tiranës.

Gjatë kontrolleve, duke përdorur radarët në gjithë akset rrugore dhe qendrat e banuara, janë konstatuar shpejtësi dyfish mbi atë të lejuar në qendrat urbane, deri në 174 km/h në rrugën interurbane Fier -Vlorë, ku drejtuesi i mjetit A. K. u ndëshkua me pezullim të lejes së drejtimit 3 muaj dhe me masë administrative 20.000 lekë të rinj.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 43 leje drejtimi, nga të cilat 33 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 10 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 2481 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA