Penalltia e dyshimtë? Shpërthejnë polemikat: Ishin dy topa në fushë

08/07/2021 19:47

Shpërthejnë polemikat rreth penalltisë së akorduar në favor të Anglisë në gjysmëfinalen e Euro 2020 ndaj Danimarkës.

Në diskutim nuk është vetëm hedhja në tokë e Sterling që kërkoi vetë kontaktin me Maehle dhe Jensen, por edhe prania e dy topave në fushë në fillimin e aksionit.

Sipas rregullores nëse një top i dytë, një objekt tjetër hyjnë në terrenin e lojës gjatë ndeshjes, arbitri duhet të lejojë lojën vetëm nëse elementi i jashtëm nuk ndërhyn në lojë dhe ta largojë atë sa më shpejt të jetë e mundur. Pra arbitri nuk është i detyra të ndalë lojën, por në rastin e Anglisë, topi ishte shumë pranë aksionit dhe mund të ishte shqetësues si për Sterling ashtu edhe për Maehle që po e ndiqte edhe pse veprimi u krye rrjedhshëm.

Pikërisht për dinamikën e këtij episodi ka folur në konferencën për shtyp trajneri i Danimarkës Kasper Hjulmand i hidhëruar se ëndrra evropiane e skuadrës së tij u ndërpre.

‘Na vjen shumë keq, është e vështirë të përshkruaj me fjalë atë që ndjej-tha Hjulmand-ndoshta do t’ia dal në ditët e ardhshme. ishim një hap larg finales. Kam folur edhe në televizione për disa vendime që u morën në fushë. Ajo e Anglisë nuk mund të jetë penallti, është diçka që më bezdis jemi shumë kundër këtij episodi. 5 sekonda para se Sterling të merrte topin, në fushë ishte një top i dytë. i thashë arbitrit të katërt, por loja vazhdoi.

Top Channel