Mjekët e spitalit të traumës, protestuan sot pas ndalimit të dy kolegëve, që akuzohen për korrupsion.
Serdi Memini dhe Ervin Sulaj u arrestuan pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet nga babai i njërit prej të plagosurve të Velipojës, i përfshirë në ngjarjen e rëndë ku u vranë 4 persona.
Kirurgu i përgjithshëm Dr.Myftar Torba, ishte sot i ftuar në emisionin “Top Talk”, ku pranoi publikisht se mjekët në sistemin shëndetësor publik në vend, marrin ryshfet.
Sipas tij, “shërbimi shëndetësor, është një shërbim që duhet paguar, si të gjithë shërbimet e tjera”.
“Nuk jemi më në kohën e diktaturës, që shkon në spital dhe të tjerat i di shteti.
Shteti duhet të ndërhyjë dhe të sigurojë që të kryhen pagesat në spital, për çdo shërbim të marrë. Në spitalin tonë, shërbimi i laboratorëve është privat, paguhet me çmimin e tregut. Shërbimi i instrumenteve është privat, shërbimi i pastrimit është privat, shërbimi i ushqimit është privat, paguhen me çmimin e tregut”.
Duke folur për paga të ulëta të mjekëse, Torba thotë se askush nuk do të qëndrontre në punë, nëse s’do merrte ryshfet.
“Rroga neto e një kirurgu me 30 vite eksperiencë është 80.000 lekë. Cili kuzhinier në restorantet e Tiranës e ka rrogën kaq? Cili prokuror, gjyqtar apo hidraulik e ka rrogën kaq? Me këto rroga, unë të siguroj që po të hiqeshin bakshishet, nesër në mëngjes nuk do të kishe asnjë mjek në spitale”.
Si zgjidhje për këtë problem, kirurgu jep ligjërimin e bakshishit.
“Ne kërkojmë të zgjidhet mënyra e financimit të spitaleve. Opsioni më i lehtë dhe më i ndershëm, është që çdo para që jepen në dorë, të lihen në recepsion me faturë dhe këto para të shkojnë te puna e gjithsecilit”.
Top Channel