Në mbledhjen që po zhvillon sot me përfaqësuesit e Policisë së Shtetit,kryeministri Rama, me gjuhë të ashpër, e drejtoi gishtin nga policia e Shtetit në lidhje me plagosjet dhe të shtënat në lokale në zonat bregdetare.
Rama ka risjellë në vëmendje atentatit të ndodhur në Sarandë, ku gjatë një sulmi me armë mbeti i plagosur biznesmeni Spiro Iljadhi. Kryeministri e cilësoi si një rast alarmant dhe që duhet të çonte në ndëshkim penal të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë.
Kryeministri shtoi më tej në fjalën e tij, se pronarët e këtyre lokaleve që sfidojnë ligjin dhe shtetin i kanë kthyer shefat e komisariateve në tutorë të veprimtarisë së tyre dhe i tërheqin për hunde.
Rama: Dua të nënvizoj një fakt, është sfidues për ligjin, shtetin, policinë e shtetit, kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësire abuzimi që degjeneron deri në krisma dhe në plagosje, në mes të një dynjaje të tërë, që është mbledhur në lokal. Kush janë këta? Këta janë tutorët e policisë së shtetit në ato territore, janë korruptuesit e policisë së shtetit, këta janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë, që tërheqin për hunde policisë, shefa komisariatësh, duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm. Rasti i Sarandës, ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin dhe drejtorin e policisë, ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë, jo në hetime administrative në masa ordinere, por në përjashtim dhe ndëshkim penal të personave përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për nxjerrjen e armëve dhe sakatimin e njerëzve në 1 të natës, përveç atyre që e kanë lejuar që ai aktivitetet të lejohet në mes të qytetit. Nuk mund të hyjë policinë që një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz në rrugë, apo dy palë futen në luftë dhe përfundon në shkrehje karikatorësh në mes të natës, ama nuk mund të ndahem nga opinioni publik kur policia e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie, pas mesnatës, që mbaron me plumba.
Top Channel