Duke reaguar ndaj intervistës së saj për “der Speigel”, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ofendoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e cila kishte folur aty për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në vitin 1999 duke thënë se “ pret që Serbia të gjunjëzohet”.

Mediat serbe thonë se Vulin i është përgjigjur Osmanit duke thënë se përsa kohë në krye është Aleksandar Vuçiç, vendi i tij nuk do të gjunjëzohet ashtu siç pret ajo. Më tej, ministri kaloi në fyerje. “Nëse Osmani do të kishte fytyrë, siç e ka stomak për gënjeshtrat që thotë, ajo do të gjunjëzohej për një kohë të gjatë para ‘shtëpisë së verdhë’ dhe serbëve të vrarë për trafik organesh…”, ka deklaruar ai.

Presidentja vetë tha se e përdori termin gjenocide me vetëdije. “Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur.

Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Willy Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, ka thënë Osmani. Sakaq, ndaj deklaratës së Vulinit reagoi ashpër, shefi i Stafit të Presidentes, Blerim Vela”.

“Këlyshi i gruas së Milloshevicit, Mira Markoviç gjatë viteve 1990 në JUL, Aleksandar Vulin është zëdhënësi i regjimit primitiv, të dhunshëm dhe seksist në Serbi. Vulin i shërben zotërisë së tij aktual, Aleksandar Vuçic me të njëjtën forcë dhe përkushtim ashtu si i shërbeu Millosheviçit. E neveritshme!”, ka shkruar Vela në Twitter.

Top Channel