Dy ditë pasi iu nënshtrua një operacioni në zorrën e trashë, Papa Françesku të martën (6 korrik) është ngritur për të ecur dhe ka ngrënë mëngjes, njoftoi Vatikani.
Zëdhënësi, Matteo Bruni, tha se rezultatet nga kontrollet rutinë “janë të mira”.
Sipas gazetave italiane, kirurgët fillimisht planifikuan të kryenin operimin përmes laparoskopisë, por në fund vendosën të kryejnë një operacion të hapur.
Ekspertët e shëndetit thonë se nuk është e pazakontë të ndryshosh metodën gjatë një operacioni.
Papa Françesku ndodhet në të njëjtën apartament në katin e 10-të të spitalit Gemelli të përdorur edhe nga Papa Gjon Pali II.
Nëse deri të dielën ai do të jetë në spital, atëherë mbase mund të ndjekë shembullin e Gjon Palit II dhe të drejtojë lutjet nga dritarja e dhomës.
Kjo është hera e parë që Papa, 84 vjeçar, pranohet në spital prejse është zgjedhur në krye të Selisë së Shenjtë në vitin 2013.
I lindur në vitin 1936 në Buenos Aires, Françesku ka humbur një pjesë të mushkërive në moshën 21-vjeçare.
Ai gjithashtu vuan nga një problem në ijë.
Në vitin 2014, atij i është dashur të anulojë një numër angazhimesh, për shkak të një sëmundjeje të stomakut.
Top Channel