“Vonon por nuk harron”, Kosovë: Jepet dënimi i parë për krimet seksuale gjatë luftës!

05/07/2021 16:12

Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi me dhjetë vjet burg ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotic për veprën penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo është hera e parë që gjykata e Kosovës dënon dikë për një krim të kësaj natyre.

Dënimin e Vukoticit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cilësoi si një “lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, tha Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sakaq sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dënimi i Vukoticit shënon “një moment kthese dhe shprese”, jo vetëm për viktimën, që ka dëshmuar kundër tij, por edhe për të mbijetuarit e tjerë “se një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

Sipas të dhënave të paraqitura nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Aktakuza tregonte se Vukotiç si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në 22 maj 1999, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, ka ushtruar dhunë fizike e psiqike ndaj tyre e ka përdorur dhunë seksuale e veprimeve të tjera çnjerëzore.

Top Channel