Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të zëvendësojë prokurorin Edmond Karriqi. Vendin e tij në Kukës tashmë, në mënyrë të përkohshme dhe me pëlqimin e tij, do ta marrë Xhevahir Lita, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

“Për shkak të pezullimit nga detyra të prokurorit Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, i caktuar përkohësisht si Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, Këshilli vendosi transferimin përkohësisht, me pëlqimin e tij, të Xhevahir Lita, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, i cili do të ushtrojë detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kukës, përkohësisht  nga data 05.07.2021 – 04.01.2022.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me votë unanime, që prokurori Xhevahir Lita të caktohet përkohësisht të ushtrojë edhe funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një afat tremujor, nga data 05.07.2021 – 04.10.2021, pasi ai i plotëson kushtet e përcaktuara në ligj dhe në Rregulloren përkatëse të Këshillit”, njofton KLP.

Bisedat intensive në telefon të të afërmve të një të riu që u kap me një cigare hashash, por që rezultuan se ishin nën përgjim i kanë kushtuar karrierën dhe lirinë prokurorit Edmond Karriqi. Përgjimet tregojnë se si Karriqi, katër muaj mbasi u caktua nga KLP në detyrën e Kryeprokurorit të Kukësit, nisi negociatat dhe bisedat përmes shoferit të tij, Isuf Gega, po ashtu nën hetim dhe nën gjendje arresti dhe nën ndërmjetësimin e të afërmve rezulton se u pagua me 2 mijë euro.

Përgjimet tregojnë se e gjitha kjo ndodhi dhjetorin e 2019 teksa SPAK ishte nën gjurmim te një çështjeje tjetër, po ashtu nën hetim sekret. Hetimet tregojnë se prokurori u pagua në shtëpinë e tij, që e ka në qytetin e Kavajës, ndërkohë të afërmit shfaqen të gëzuar në telefon e thonë se paguam, e ku parashikojnë se së shpejti ai do dalë për të afërmin e tyre, që rezulton se qëndroi në paraburgim vetëm 15 ditë dhe më pas fitoi lirinë nga Gjykata e Kukësit.

Top Channel