Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ripërsëriti qëndrimin se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në Bashkimin Evropian dhe ka bërë thirrje që procesi i zgjerimit të bllokut evropian të përshpejtohet.
“Prioriteti ynë i parë është që të përshpejtojmë agjendën tonë të zgjerimit në gjithë rajonin dhe t’u ndihmojmë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor për të zbatuar reformat e nevojshme për avancim në rrugëtimin evropian”, tha von der Leyen gjatë takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo tha se paralelisht do të punohet për të afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugët drejt “një të ardhme digjitale dhe të qëndrueshme. Për të arritur këtë, sipas saj, BE-ja ka vënë në dispozicion 28 miliardë euro për projektet në infrastrukturë në vendet e Ballkanit.
Von der Leyen ka shprehur mbështetjen edhe për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal si dhe në të ardhmen, këtij rajoni t’i mundësohet qasja në tregun unik të BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për Procesin e Berlinit, që tha se është një inkubator për shumë nisma, të cilat janë bërë edhe pjesë përbërëse e politikës së BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.
Von der Leyen po ashtu foli edhe për ndihmën që blloku evropian po u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Ajo tha se rënia e infektimeve me koronavirus në këtë rajon ka bërë që shtetet e kësaj pjese të mos kenë kufizime për udhëtime në BE. Presidentja e
Komisionit Evropian tha po ashtu se mjetet financiare të BE-së vazhdojnë të jenë në dispozicion për shtetet e Ballkanit Perëndimor për të tejkaluar pasojat e shkaktuara nga pandemia.
Komisioni Evropian, tha Von der Leyen, tha se përshëndet hyrjen në fuqi të marrëveshjes për heqjen e tarifave për roaming midis vendeve të rajonit dhe paralajmëroi se hapi i ardhshëm do të jetë përfshirja e rajonit edhe në hapësirën e BE-së pa tarifë për roaming./REL
Top Channel